Shtyhet shpallja e aktgjykimit në rastin e ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës

Për shkak të mungesës së anëtares së trupit gjykues, Shadije Gërguri, është shtyrë shpallja e aktgjykimit në rastin ndaj dhjetë ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lajme

19/04/2018 23:57

Shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit, që ka qenë e paraparë të bëhet sot, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra.

Sipas tij, gjykatësja Gërguri ndodhet në udhëtim zyrtar dhe nuk mund të jetë e pranishme në seancën e sotme.

Ai ka bërë të ditur se shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet më 20 prill, nga ora 9:00.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) pretendon se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Të njëjtit akuzohen se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina ”Tregtia”, Shefik Rexhepi  “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.

Tutje, të njëjtit supozohet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve.

Ndërkaq, i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohet për falsifikim të dokumenteve, pasi që i njëjti, pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal./betimiperdrejtesi.com