Shtyhet rihapja e hapësirës ajrore të Kosovës

Tani përmendet gjysma e parë e vitit 2014 koha kur do të mundet që rihapet hapësira e sipërme ajrore e Kosovës e mbyllur në vitin 1999.

Lajme

24/11/2013 10:28

Këshilli i NATO’s nuk ka dhënë shpjegime përse po shtyhet rihapja e hapësirës së sipërme ajrore të Kosovës e paralajmëruar të bëhet në fillim të këtij viti.

Zyrtarët e NATO’s i kanë thënë Radio Kosovës se është arritur një përparim i dukshëm në përgatitjet për të normalizuar hapësirën ajrore të Kosovës.

Por, ky përparim që përmendet mund të shihet tek në pjesën e parë të vitit të ardhshëm kur autoritet kosovare presin që të rihapet hapësira ajrore e Kosovës

Përfshirja e kësaj çështje në bisedimet me Serbinë është diskutuar vitin e kaluar mes zëvendëskryeministres Edita Tahiri dhe zyrtarëve të Këshillit të NATO’s. Por, asnjëra nga palët nuk kanë konfirmuar nëse rihapjes së hapësirës së sipërme ajrore të Kosovës do t”i paraprijë një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës,Raporton sot Radio Kosova.

Lah Nitaj këshilltar i Ministrit të Infrastrukturës ka thënë kësaj radoi të mos ketë njohuri përse nuk është realizuar këtë vit rihapja e hapësirës ajrore të Kosovës.

”Me të dhënat që operojmë nuk e dimë që ka ndonjë problem. Thjeshtë është çështje e a autoritete të Brukselit përkatësisht Këshillit Veriatlantik dhe autoritete hungareze. Procesi është dashur të ndodhu kohë më parë pse nuk ka ndodhur ata duhet të të japin një shpjegim”.

Zyrtarët e NATO’s ndërkaq kanë përmendur faktin që hapësira e sipërme ajrore e Kosovës, e cila ka mbetur një vrimë gri në hartën e Evropës do të rihapet në mënyrë të mirë koordinuar me Shërbimet e Navigacionit Ajror të regjionit. E që në këtë rast kjo nuk përjashton që kjo temë të diskutohet në kuadër të grupeve punuese të Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.

Dritan Gjonabalaj shef i Agjencisë së Aviacionit Civil të Kosovës ka përmendur se ka një dakordim për t’u biseduar rreth kësaj çështje.

“Është dakorduar që çështja e normalizimit të hapësirës së sipërme ajrore të Kosovës të vazhdoj të diskutohet dhe të gjendet një zgjidhje në kuadër të iniciativës së NATO-s ku Republika e Kosovës është e përfshirë. Ne jemi duke punuar të gjithë bashkë që hapja të ndodhë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm”, ka thënë Gjonbalaj për Radio Kosovën.

Një vit më herët NATO që ka përgjegjësinë për menaxhimin e hapësirës ajrore të Kosovës kishte vendosur që menaxhimin e kësaj hapësire ta bëjë autoriteti hungarez i Navigacionit –Hungarocontrol. Madje ishte caktuar më së largu qershori i këtij vitit që të mundësohen rutat e fluturimeve mbi hapësirën e sipërme ajrore të Kosovës.

Tani përmendet gjysma e parë e vitit 2014 koha kur do të mundet që rihapet hapësira e sipërme ajrore e Kosovës e mbyllur në vitin 1999.

Menaxhimi i përkohshëm hapësirës së sipërme ajrore mbi 10 km mund të zgjas nga 3-5 vjet. Ndërsa hapja e kësaj hapësire për mbikalimet komerciale pritet të rris të hyrat e shtetit nga 6-10 milionë euro.