Shtohen pensionistët, shqiptarët po plaken

Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në 6 vitet e fundit numri i pensionistëve në Shqipëri është rritur me 12.8 për qind. Të dhënat zyrtare tregojnë se shqiptarët po plaken dhe kjo ka pasoja të drejtëpërdrejta mbi skemën e pensioneve.

Lajme

12/06/2017 20:56

Vitin e kaluar shpenzimet totale të sigurimeve shoqërore arritën në 109 miliardë lekë. Të dhënat historike tregojnë se në vetëm 6 vjet fatura e pensioneve është rritur me mbi 43 për qind, një ritëm dukshëm më i lartë sesa ai i të ardhurave që shteti mbledh nga kontributet.

Kjo ka bërë që defiçiti i skemës të zgjerohet, duke e detyruar qeverinë të paguajë më shumë para nga taksat për ta mbuluar atë.

Sipas ISSH, vitin e kaluar qeveria derdhi 29 miliardë lekë për të subvencionuar pensionet dhe krahasuar me fundin e 2014-s subvencionet janë rritur me gati 0.65 pikë përqindje ndaj Prodhimit Kombëtar, shkruan Top Channel.

Por plakja e popullsisë nuk është problemi i vetëm. Skema e pensioneve dëmtohet edhe nga një fenomen tjetër, ai i pagave të ulëta, veçanërisht në sektorin privat.

Ndonëse numri i kontribuesve është rritur vit pas viti, efekti tek të ardhurat e skemës ka qenë i ulët. Kjo, pasi shumica e kontribuesve paguajnë sigurime mbi bazën e pagës minimale.

Tre vjet më parë, qeveria miratoi një reformë tërësore të sistemit të pensioneve. Por edhe pse reforma e ka bërë sistemin më të qëndrueshëm, dy probleme vazhdojnë të mbeten: plakja e shpejtë e popullsisë dhe pagat e ulëta në ekonomi.