Shteti “kombëtar” mysliman i Albin Kurtit – Lajmi.net
Shteti “kombëtar” mysliman i Albin Kurtit
Autori: Artan Haraqij LajmeOp-EdOpinionPolitikë 20:27, 5 June 2017
Nga sot duhet të konsiderohet sukses sikur të kishim mundësi ta bindim Albin Kurtin që të vendosë përfundimisht, a e ka qëllim bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm, apo të tregojë nëse ka hequr dorë prej kësaj dhe ka vendosur të kalojë te rrethi i atyre që e përdorin islamin si program politik dhe që qëllimin final e kanë ndërtimin e një shteti ku lejohesh të bësh pjesë vetëm nëse je mysliman

Albin Kurti ma kujton një anëtar të familjes time, nga ana e nënës, i cili gjatë tërë ekzistencës së Jugosllavisë ka qenë komunist, ndërsa tash është gati të të nxjerrë sytë nëse i flet diçka kundër islamistëve. Nëna ime edhe sot dridhet kur i kujtohet momenti, gjatë viteve të ’70-a, kur i afërmi i saj i ka shkuar në shkollën ku ajo jepte mësim dhe ia kumton lajmin se ka votuar për shkarkimin nga puna të bashkëshortit të saj, si inspektor veterinar i Komunës së Gjakovës. Im atë edhe sot e kësaj dite nuk e di arsyen e saktë pse ai dhe disa të tjerë, janë përjashtuar nga puna, por atëkohë nuk ka qenë shumë e vështirë të kuptohen arsyet e vërteta. Prindërit e mi asnjëherë nuk kanë qenë anëtarë të Partisë Komunistë Jugosllave, ndërsa xhaxhai i tim ati ka qenë ballist.

Tash, jo pak vjet pas shpërbërjes së Jugosllavisë komuniste dhe çlirimit e pavarësimit të Kosovës – i njëjti person, sa herë kthehem në Gjakovë dhe përballem me të, më bën jo pak akuza para tërë familjes se po e sulmoj shumë fenë islame dhe prijësit islamë nëpër debate televizive. Ky person bën pjesë te ai grupi i jo pak shqiptarëve të Kosovës që, varësisht prej trendit, ndërrojnë ngjyrat, agjendat, besimin… Gjatë Jugosllavisë kanë ecur me librezën e partisë, të dalë pak jashtë xhepit të këmishës, që të gjithë ta shohin se edhe ai “si krejt bota, janë komunistë jugosllavë” – tash pas çlirimit e pavarësimit janë kthyer në besimtarë të devotshëm myslimanë, që të nxjerrin sytë po iu fole diçka për ndikimin e dëmshëm të fesë në politikë.

Kur e dëgjoja Albin Kurtin të flasë sot me zell, me një fjalor të pastër prej islamisti, personi i parë që më ka shkuar ndërmend ka qenë ky i afërm i familjes. Nga sot duhet të konsiderohet sukses sikur të kishim mundësi ta bindim Albin Kurtin që të vendosë përfundimisht, a e ka qëllim bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm, apo të tregojë nëse ka hequr dorë prej kësaj dhe ka vendosur të kalojë te rrethi i atyre që e përdorin islamin si program politik dhe që qëllimin final e kanë ndërtimin e një shteti ku lejohesh të bësh pjesë vetëm nëse je mysliman. E di që është kohë fushate dhe në një vend ballkanik si Kosova, kjo realisht nënkupton një lloj zhveshje e plotë e politikanëve nga dinjiteti, POR… kur publikohen gjëra si deklarata e sotme e një kandidati për kryeministër, ku ai zotohet se “do të luftojë islamofobët” dhe do të lejojë vajzat e mitura që me shami të futen nëpër shkolla publike, është shumë me rëndësi të bëhet një sqarim.

NUK ka kurrfarë mundësie të jesh edhe nacionalist shqiptar, që dëshiron bashkimin e territoreve me popullatë shqiptare, d.m.th. aty ku ka edhe myslimanë, të krishterë, të pafe dhe ateistë etj., dhe, në të njëjtën kohë, të bësh fushatë politike për zgjedhje me ide që mbështeten komplet në një ideologji fetare. Ndoshta nga sot duhet shpallur të vdekur idenë se VV-ja dhe kandidati i saj për kryeministër luftojnë për bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Ndoshta ky është edhe ndryshimi, nga sot VV-ja dhe Albin Kurti kanë vendosur të luftojnë për bashkimin në një shtet vetëm të shqiptarëve që e konsiderojnë veten myslimanë dhe duan të jetojnë në një shtet islamik, sipas dëshirave të Lëvizjes Islame “Bashkohu”, Naim Tërnavës, Shefqet Krasniqit, Enës Gogës etj.

Ideja që një vajzë e arrin moshën e pjekurisë sapo i bën 16 vjet dhe me këtë duhet të respektojë “obligimin mysliman” të mbulesës, është një nga agjendat më të pista të islamistëve, atyre, pra, që duan ndërhyrjet fetare në vendimmarrje politike apo mbështetjen vetëm në fe. Ata nuk janë shqetësuar me çfarëdo të drejte të gruas në Kosovë, por kjo përbën një element përmes së cilës fuqishëm e shtyjnë programin e tyre fetaro-politik, të sundimit përmes fesë. Nëse i shtohet kësaj edhe se sa e centralizuar është vendimmarrja në një familje besimtarësh të devotshëm myslimanë, pra aty ku burri, “i zoti i shtëpisë” vendos për gjithçka dhe në përgjithësi sa konservatorë janë myslimanët e Kosovës, sinqerisht nuk ka këtu të bëjë fare me “të drejta të vajzave shqiptare” për mbulesë apo jo, apo realisht çfarëdo të drejte tjetër. Merrni shembull cilindo shtet në botë që udhëhiqet nga islamistë të tillë dhe shikoni se si gruaja trajtohet si një copë mishi, pronë e burrit, i cili është zot shtëpie. Lista e gjatë e shkeljeve të të drejtave më elementare të gruas në, p.sh., Arabinë Saudite përfshin edhe ndalimin me ligj që një grua t’i nënshtrohet një operacioni nëse për këtë nuk e ka lejen paraprakisht të nënshkruar nga një anëtar burrë i familjes.

Një nga islamistët më të njohur të Kosovës, Shefqet Krasniqi, një luftëtar i paepur i lejimit të vajzave të mitura të Kosovës me shami nëpër shkolla, e sqaron shumë mirë se cili është roli kryesor i gruas, sipas bindjeve të tij fetare: “ajo duhet të rrisë fëmijët, të ruajë nderin dhe moralin e burrit” derisa qëndron në shtëpi. Burri, sipas Shefqetit, që kur u arrestua iu gjetën dokumente identifikimi të Serbisë, e ka shumë më të vështirë jetën pasi ai është i vetmi që në shi e borë e diell duhet të dalë të punojë, derisa gruaja kënaqet në shtëpi.

Brenda komuniteteve myslimane nëpër botë ka jo pak prijës fetarë, e imamë dhe hoxhallarë të tillë ka edhe në Kosovë, të cilët thonë që Kurani nuk e detyron gruan të mbulohet.

Ka prej këtyre imamëve që kanë shkuar deri aty sa edhe në media të Kosovës dhe ato ndërkombëtare kanë thënë hapur që vëllai i tyre është vetëm një shqiptar, pavarësisht besimit apo mosbesimit që mund të këtë ai. Nuk ka vëlla mysliman nëse nuk flet shqip dhe nuk beson se identiteti kombëtar i shqiptarëve nuk është lidhur dhe nuk duhet të lidhet me bindje fetare. Sjellja ndryshe prej kësaj nënkupton shkatërrim për shqiptarët në Ballkan.

Ata që çdo të dytën fjalë e thonë “vëlla mysliman”, kjo përpjekja e shkëputjes nga çfarëdo pjesëtari tjetër i shoqërisë kosovare që nuk është mysliman, kanë aq gërdi prej çdo gjëje shqip sa kanë filluar të ndërrojnë edhe emrat, nga Agimi, Patrioti, Qëndrimi… të marrin emra që nuk kanë fare të bëjnë me gjuhën dhe kulturën e shqiptarëve… as me atë që disa e quajnë islami tradicional. Të tillë ka edhe në udhëheqësinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, edhe në disa parti politike islamiste në Kosovë. Kurtit, pas deklaratës së sotme, i ka mbetur vetëm të fillojë të ndërrojë edhe ngjyrën e të folurit shqip, që të përshtatet me disa imamë të BIK-ut, që fjalët shqip i thonë sikur ta kenë mësuar shqipen në Riad apo Damask.

Kandidati i VV-së për kryeministër, në vend që të rreshtohet me grupin brenda komunitetit mysliman shqiptar në Kosovë, që vazhdon të promovojë jo vetëm harmoninë, por edhe unitetin brenda shqiptarëve, po e shtyn përpara agjendën më të rrezikshme, atë të islamistëve. Ata për të cilët: o je myslimanë, madje sipas definicioneve të tyre, o je një islamofob, pra një që ka frikë në tërësi islamin.

Islamofobia që Albin Kurti sot u zotua se do ta luftojë është përpjekja e islamistëve që ta shkatërrojnë çdo hulumtim gazetar, çfarëdo mundësie të zbulimit të punëve të tyre të pista, që përfshin edhe angazhimin aktiv të BIK-ut dhe disa imamëve të saj për nxitjen dhe bindjen e qindra shqiptarëve t’iu bashkohen organizatave terroriste në Siri dhe Irak.

Mbi 300 të rinj shqiptarë të Kosovës, që kanë luftuar apo luftojnë ende në Lindje të Mesme, janë rezultat i punës së atyre, fjalorin e të cilëve Albin Kurti sot e bëri pjesë të fjalorit të tij politik.

Lufta kundër “islamofobëve”, kjo “vajza e vogël shqiptare me shami” që Albini e ka përmendur edhe më parë në një intervistë televizive, janë antipod i idesë së bashkimit kombëtar të shqiptarëve.

Do të ishte mirë që Albin Kurti të vendosë përfundimisht, a dëshiron të luftojë për shtet të shqiptarëve, apo ka vendosur të dalë hapur me program të islamit politik.

Fjalët kyçe: Albin Kurti, Artan Haraqija

Fotolajm

Pandat gjigante mbushin 1 vjeç në Makao
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Urban Basketball
  • Play Pro Kicker Frenzy
  • Play Bow Master Japan
  • Play Turbo Racing 3