Shtëpia e frikës

Këtë sezon “Halloween”-i, një lloj i ri shtëpie frike do t’i tmerrojë njujorkezët, me kombinimin e elementëve të një filmi horror dhe një dhome arratisjeje.

Fun

20/10/2017 13:25

“Kjo është e vërtetë” (This is Real) quhet eksperienca e zhytjes në botën e horrorit. Pjesëmarrësit janë maksimumi 8 dhe dërgohen në një magazinë, në dukje të braktisur, në Brooklyn, ku i lidhen sytë e mbyllen në qeli.

Aty brenda do të kthehen në dëshmitarë të skenës së torturimit të një gruaje nga një psikopat, e përgjatë një ore duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të dalë gjoja “të gjallë” nga izolimi, ndërkohë që një seri vrasësish i vihen nga pas.

“Kjo është e vërtetë” ka shumë elementë të dhomës mjaft popullore të arratisjes, një aventurë fizike ku lojtarëve u duhet të zgjidhin gjëgjëza e “puzzle”-a, që të mund të largohen. Por njëri prej ideatorëve të eksperiencës së re, Paul Smithyman thotë se, kjo shfaqje e re horrori dhe zhytja që i bëhet njerëzve në të, e bën shumë më të thellë përjetimin e pjesëmarrësve.

Efekti i dëshiruar u arrit vërtet.

“Ngjan shumë me një dhomë arratisjeje, por aktrimi është fantastik dhe unë vet isha realisht e llahtarisur përgjatë të gjithë kohës”, tha Amy Clark, lojtare.

Ata që dëshirojnë të zhyten në botën e “Kjo është e vërtetë” duhet të paguajnë 95 deri në 110 dollarë, e duhet të nxitojnë madje, sepse për këtë sezon biletat janë shitur thuajse të gjitha. /Lajmi.net/