Shqiptarët që luftojnë në Siri i pret burgu edhe në Shqipëri

Shqipëria pritet t’i penalizojë shtetasit e vet që luftojnë jashtë shtetit. Për këtë, do të ndryshojë edhe Kodi Penal. Një grup i deputetëve pritet që këtë Projektligj ta dërgojnë për votim në Kuvendin e Shqipërisë.

Lajme

23/02/2014 15:01

Pas krijimit të Projektligjit nga Qeveria e Kosovës për dënimin e atyre shtetasve që luftojnë jashtë vendit, një gjë e tillë pritet ta bëjë edhe shteti i Shqipërisë.

Institucionet e Shqipërisë pritet të ndryshojë Kodin Penal, duke e cilësuar angazhimin e shtetasve shqiptarë për të luftuar në Siri apo në konflikte të ngjashme si vepër penale.

Top Channel ka mësuar se  Projektligji është duke marrë formën e tij përfundimtare nga një grup deputetësh, mes të cilëve është edhe Kryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj.

Ata propozojnë  miratimin e disa dispozitave që penalizojnë shtetasit shqiptarë, të cilët pa pasur shtetësinë apo vendbanimin në shtetin ku zhvillohen luftime dhe pa qenë pjesë e formacioneve të rregullta ushtarake të palëve ndërluftuese, marrin pjesë në konflikte të armatosura.

Inicuesit e Projektligjit pritet t’i propozojë Parlamentit dënimin me mbi dhjetë vjet burg për ata persona të cilëve u provohet pjesëmarrja në luftëra të tilla.

Siç raporton Top Channel, thelbi propozimit, i cili ka marrë edhe bekimin e partnerëve ndërkombëtarë të sigurisë, është ky: “Shtetasit shqiptarë, që nuk kanë njëkohësisht dhe shtetësinë e ndonjërës prej palëve ndërluftuese në konflikte të armatosura që zhvillohet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, këtej e tutje do të dënohen me masa të konsiderueshme burgimi”.

Një burim pranë grupit të punës, po ashtu, i ka deklaruar Top Channel se “kronikat dhe faktet e fundit të raportuara nga Siria për shtetas shqiptarë që marrin pjesë apo kanë humbur dhe jetën në luftimet që zhvillohen në atë shtet, kanë sjellë në vëmendjen e autoriteteve dhe ligjvënësve shqiptarë nevojën urgjente për ndërhyrje në Kodin Penal”.