Shqipëria kërkon në Paris pranimin e Kosovës në UNESCO

Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro theksoi sot në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s në Paris, se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është i merituar.

Lajme

07/11/2015 11:40

Gjatë fjalës së saj, ministrja Kumbaro tha se kultura nuk njeh kufij administrativë.

“Të bashkohemi të gjithë së bashku të promovojmë paqen”, tha Kumbaro.

Më 21 tetor, Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s përkrahu kërkesën e Shqipërisë dhe i rekomandoi Konferencës së Përgjithshme futjen e çështjes së pranimit të Kosovës në këtë organizatë në agjendë.

Sesioni i 38-të i Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s nisi të martën, 3 nëntor 2015,në Paris dhe do të zgjasë dy javë. Në mesin e shumë çështjeve do të konsiderohet është edhe rekomandimi i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Konferenca e Përgjithshme ka 195 anëtarë, nga të cilët 111 e kanë njohur Kosovën, e 84 jo, dhe rekomandimit i duhen dy të tretat e votave për të kaluar.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ditë më parë ka thënë se Kosova duhet dhe e merito n të jetë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), sepse ndan dhe beson në vlera të njëjta me misionin e kësaj organizate.

“Kosova duhet të jetë anëtare e UNESCO-s, sepse ndan dhe beson në vlera të njëjta me misionin e kësaj organizate, vlera të kulturës, arsimit, shkencës, komunikimit, të orientuara në ndërtimin e paqes dhe barazisë ndërmjet njerëzve, të bashkëpunimit, të dialogut ndërkulturor, në përgjithësi”, theksoi Mustafa.

Në prag të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s për anëtarësimin e Kosovës në agjencinë e OKB-së, janë shtuar zërat në përkrahje të Kosovës, ndërsa Serbia në anën tjetër zhvillon një fushatë të gjerë diplomatike institucionale kundër synimeve të Kosovës për anëtarësim.