Shqipëria i jep mbështetje projektit të gazsjellësit TAP-me rëndësi strategjike për SHBA-të

Zëvendës Ndihmës Sekretarja amerikane për Diplomacinë Energjitike, Robin Dunnigan zhvilloi sot në Tiranë disa takime me anëtarë të kabinetit të Qeverisë shqiptare, ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe Ministrin e Industrisë dhe Energjisë Damian Gjiknuri.

Lajme

04/06/2015 19:09

Zyrtarja e Lartë e Departamentit të Shtetit, diskutoi me ministrin Gjiknuri për zhvillimet në sektorin energjitik, duke u ndalur vecanërisht në projektin e gazsjellësit TAP, i cili do të bëjë të mundur furnizimin e Europës perëndimore me gaz nga vendburimet e Shah Deniz II në Azerbajxhan. Gazsjellësi kalon përmes Greqisë dhe Shqipërisë, për të përfunduar pëmes një tubacioni nënujor në brigjet e Pulias në Itali.

Sipas një njoftimi nga ministria shqiptare e Energjisë “zonja Dunnigan deklaroi se ky projekt ka një rëndësi strategjike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa konfirmoi mbështetjen edhe për mundësinë e degëzimit me gazsjellësin Adriatiko-Jonian (IAP) dhe më tej procesin e gazifikimit të Shqipërisë”.

Zyrtarja e SHBA, bën të ditur më tej njoftimi, “e njohu ministrin me zhvillimet rajonale energjitike dhe se si ato të harmonizohen më mirë me interesat e Shqipërisë dhe rajonit në sigurinë energjitike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mund t’i ofrojnë Shqipërisë mbështetje teknike për kuadrin rregullator sa i takon energjisë elektrike por edhe në fushën e shfrytëzimit të hidrokarbureve. Zonja Dunnigan deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të luajnë gjithashtu një rol aktiv për të harmonizuar qëndrimet me Bashkimin Evropian, me synim nxitjen e investimeve që çojnë në forcimin e lidhjeve të interkonjeksionit në energji elektrike dhe gaz mes vendeve të Evropës Juglindore”.

 

Autoritetet shqiptare synojnë të afrojnë kompani serioze ndërkombëtare dhe në fushën e kërkimit të naftës dhe gazit. Zyrtarja e Departamentit të Shtetit “konfirmoi interesin e kompanive amerikane për tu njohur nga afër me potencialet që ofron Shqipëria edhe në këtë fushë”