Shqipëri, ndalohet avioni dhe sekuestrohen 2 ton hashash (Video)

Një avion i cili fluturonte në hapësirën ajrore shqiptare është ndaluar në Divjakë gjatë një aksioni të Policisë shqiptare. Në një veturë aty afër janë konfiskuar 2 ton hashash. Ende nuk është konfirmuar nëse droga e konfiskuar kishte lidhje me avionin që ateroi aty.  

Lajme

10/05/2014 19:46

Sipas informacioneve paraprake, forcat speciale kanë rrethuar avionin që ishte ulur në Divjakë, afër zonës së plazhit. Piloti i avionit të bllokuar mësohet se është një shtetas italian, ndërsa gjatë uljes avioni kishte pësuar dëmtime. 

Piloti mësohet se ka treguar se ka bërë ulje emergjente. Ndërkaq, në zonën ku ka qenë i ulur avioni është gjetur një veturë me 2 ton hashash. 

Policia nuk ka prova që mund të përfshijnë avionin në këtë ngjarje, por avioni nuk mund të niset. 

Lidhur me ngjarjen ka reaguar Aviacioni Civil, duke theksuar se avioni i bllokuar në Divjakë ka leje fluturimi në hapësirën shqiptare. Sipas këtij autoriteti, “Leja e fluturimit mban nr. 193 dhënë më 05.05. 2014”. 

Avioni tip “Piper”, ishte ndalur në aeroportin e Rinasit me leje fluturimi, ndërsa ditën e sotme në orën 13:00 ishte nisur për një fluturim drejt jugut, por Kulla e Kontrollit e ka humbur kontaktin, raporton televizioni “A1 Report”.

 

Piloti

 

Piloti italian Giorgio Riformato, 56 vjeç nga Varese, i cili drejtonte avionin e bllokuar në Divjakë, rezulton me precedentë të mëparshëm për mashtrim. Në 2009 piloti 56-vjeçar u përfshi në një skandal që kishte të bënte me pagesa të mëdha që bënin aplikantët për pilot. Riformato ishte titullar i një shkolle për pilotë, e cila i merrte aplikantëve 1200 euro për një orë leksioni në fluturim. 

Ngjarja u bë publike në vitin 2009, kur “Le Iene” shkuan në Mesanzana duke e bërë kështu kombëtare, një ngjarje që deri më atëherë ishte e lokalizuar. Pas hetimeve të bëra nga “Guardia di Finanza’ u treguar se Riformato kishte shkelur një sërë artikujsh të Kodit të Aviacionit.

 

 Tahiri: Avioni u nis nga Rinasi

 

Sot ne ora 14.40 një avion i vogël ka bërë ulje në plazhin e Divjakës, ku edhe është dëmtuar duke thyer njërën nga rrotat dhe elikën. Policia e Shtetit ka ndaluar pilotin, i cili është shtetasi italian, Giorgio Riformato. 

Nga hetimet paraprake rezulton që avioni është nisur nga Rinasi në orën 13:26 me leje numër 193, lëshuar nga Aviacioni Civil, dhe me destinacion Italinë.

Nga të dhënat paraprake, kjo është hera e parë që ky avion ulet në vendin tonë. 

Avioni është gjetur bosh, ndërkohë që pretendimi i shtetasit italian është se ka bërë ulje të detyruar për shkak të difektit teknik, gjë që pritet të verifikohet nga hetimet.

Paralelisht nga Policia e Shtetit dhe policia kufitare e zonës, së bashku me forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, është bërë rrethimi i zonës, ku dhe është identifikuar një makine tip Mitsubishi me targë AA 794 EU me një ngarkesë drogë të llojit hashash, si dhe disa çanta me lëndë narkotike në afërsi të saj.

 

Në vlerësimet paraprake, mendohet të jenë rreth 460 kg kanabis.

 

Sapo jam informuar nga Policia se në këto momente është arrestuar drejtuesi i mjetit, Saimir Bajrami, vjeç 35, të cilit i janë sekuestruar dhe 27.000 euro. Nga të dhënat paraprake, ky shtetas ka jetuar në Itali dhe ka mbërritur në Shqipëri vetëm 2 ditë më parë. 

Në vijim të hetimeve, Policia e Shtetit do ju informojë më shumë për këtë ngjarje, sigurisht edhe nëse avioni dhe fuoristrada e kapur në atë zonë janë pjesë e një tentative për trafik të paligjshëm.

 

Berisha:  Zoti shpëtoi shtëpinë e një fshatari

 

Pas publikimit të lajmit për kapjen e avionit ka ardhur dhe reagimi i ish-kryeministri, Sali Berisha. Kapet në Divjakë mushkonja e parë e miellit e Edi Ramës! Avioni nuk është ndaluar nga policia as dhe nga ndonjë operacion antidroge por bie nga mbingarkesa. Zoti shpëton shtëpinë e një fshatari pa i rënë avioni mbi çati. Ky është sundimi i drogës.” (A1Report)