Shpërbëhet komisioni UP-MASHT dhe OVL UÇK

Ende pa filluar punën, është shpërbërë komisioni i përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, Universitetit të Prishtinës, Këshillit Drejtues, Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe Kryeministrisë.

Lajme

11/12/2014 21:54

Ende pa filluar punën, u shpërbë komisioni i dalë nga marrëveshja mes përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, Universitetit të Prishtinës, Këshillit Drejtues, Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK­-së dhe Kryeministrisë, të cilët kishin për obligim që brenda një jave të gjenin një zgjidhje për kërkesën e organizatave të luftës për pranimin në UP të mbi 1 mijë fëmijëve të kategorive të dala nga lufta, raporton RTK.

Burime brenda këtij komisioni kanë thënë për RTK­-në se shpërbërja e Komisionit ka ardhur nga situata e krijuar politike rreth krijimit të institucioneve të reja. Madje, persona brenda këtij Komisioni kanë theksuar se personat e caktuar në këtë komision janë takuar vetëm një herë, përkatësisht vetëm një ditë pas protestave.

Ndërkaq, të kontaktuar nëpërmjet telefonit nga RTK, përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, ata të Rektoratit, Këshillit Drejtues, nuk kanë dashur të prononcohen rreth kësaj çështje. Përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta e UÇK­-së, Xhavit Jashari, përmes telefonit, ka thënë për RTK-­në se nuk është në dijeni për këtë çështje, raporton RTK.