Shpendi i thotë “JO” kandidimit për kryeministër

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se nuk pranon të kandidojë në zgjedhjet nacionale si kandidat për kryeministër nga Vetëvendosje. Këtë mohim, ai thotë se e bën për shkak të obligimeve që ka në Komunën e Prishtinës.

Lajme

08/04/2014 19:33

E plotësuar

Duke vazhduar intervistën e tij në “Rubikon”, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka mohuar që njëherë për njëherë të kandidojë në pozitën e kryeministrit të Kosovës.

Ai duke qeshur ka thënë “unë i kam përfunduar më zgjedhjet”.

Por, edhe pse ai nuk do të kandidojë në këtë pozitë, thotë se synim i Vetëvendosjes në zgjedhjet nacionale është që të dalin të parët.

“Synimi jonë është që të jemi të parët”.

“Jo unë zgjedhjet i kam përfunduar. Jo, sepse është Komuna e Prishtinës me të cilën do të merrem. Sot jam në funksion të komunës së Prishtinës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Koncepti i VV i pastër dhe i sinqertë mund ta çojë Kosovën përpara”.

“Mendoj se Lëvizja Vetëvendosje ka shumë e shumë njerëz”.

Por, a do të kandidojë ai për pozitën e kryetarit të Vetëvendosjes?

“Nuk kam ambicie të tilla. Momentalisht jam i përkushtuar me qeverisjen në Prishtinë”.

Sa i përket premtimit të Shpend Ahmetit për shpërndarjen falas të shujtave për nxënësit e shkollave fillore të ulëta, ai thotë se kjo do të ndodhë në shtatorin e ardhshëm duke hapur edhe disa vende pune për gra të cilat do të përgatisin ushqimet.

“Po planifikojmë që në shtator të fillojmë, jemi duke i bërë përgatitjet që ajo të ketë ndikim edhe për punësim. Jo vetëm të ketë pagesa për një shujtë, por që të ketë edhe punësim për gratë. Dhe të ndryshohet rregulloja që ndalon ushqimin brenda objektit shkollorë”.

“Ideja e rregullores ka qenë të mos ketë pabarazi midis fëmijëve”.

___________________________________________________

Më shumë se 100 ditë të Shpendit, vetëm 7 leje për ndërtim

Shpend Ahmeti thotë se është formuar në qytet një bindje që kryetari i Komunës së Prishtinës i ka ndalur dhëniet e lejeve për ndërtim. Duke e mohuar një gjë të tillë, ai ka thënë se deri më tani ka dhënë vetëm 7 leje.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke përmendur problemet të cilat, sipas tij, i ka lënë qeverisja e kaluar komunale, tha se nuk ka refuzuar deri më tani ndonjë kërkesë për ndërtim në Prishtinë në qoftë se ajo ka qenë në rregull me letra.

Ahmeti ka thënë në “Rubikon” të KTV-së se në Komunë janë 49 vendime për rrënimin e ndërtesave kolektive pa leje, por që s’janë rrënuar. E, për këtë, ka sqaruar ai, nuk ka pasur asnjë justifikim nga zyrtarët komunalë.

“Bëhet fjalë për 4 vjetët e fundit, por janë 49 ndërtime të larta kolektive që e kanë vendimin për rrënim, por që s’janë rrënuar”.

“Nuk ka ankesa as në polici se janë kërcënuar apo diçka të tillë, dhe shënimet e inspektorëve”.

“Ndërtimet e larta janë problemi kryesor në Prishtinë. Tash është krijuar një bindje se Komuna e Prishtinës i ka ndalë të gjitha lejet. Nuk ka sot asnjë kompani që i ka pasur letrat në rregull, e ne të mos ia kemi dhënë lejen”.

“Deri më tani janë lëshuar 7 leje”, ka thënë kreu i Prishtinës në Rubikon.