Shpend Ahmeti në paqe të kundërligjshme me bizneset

Shfrytëzim i tokës komunale pa pagesë e keqpërdorim me tender u shoqërua qeverisja e vitit 2017 e Komunës së Prishtinës.

Lajme

09/06/2018 19:45

Gjatë vitit të kaluar, Komuna që udhëhiqet nga social demokrati, Shpend Ahmeti u tregua dorëshlirë me bizneset. Ato lihen të shfrytëzojnë tokën komunale pa pagesë, ndërsa barra më e madhe për të mbushur arkën komunale bije mbi qytetarët, pasi të hyrat nga tatimi në pronë janë çdo ditë në rritje.

Zyra e Auditorit Gjeneral ka publikuar Raportin për Pasqyrat Financiarë të vitit 2017 të Komunës së Prishtinës. Auditori zbuloi se si bizneset po përdorin pa asnjë kontratë tokën  e Komunës në Zonën Industriale, po ashtu me muaj të tërë pa pagesë edhe hapësirat publike brenda në kryeqytet, shkruan lajmi.net.

Dhënia e pronave në shfrytëzim pa kompensim

Sipas Auditorit, në vitin 2014 Komuna kishte bërë verifikimin e të gjitha pronave komunale, në mesin e të cilave edhe ngastrat që janë në pjesën e quajtur “Zona Industriale”. Të paktën 37 parcela të kësaj zone me rreth 6 hektarë, shfrytëzohen nga biznese të ndryshme pa asnjë kompensim ndaj komunës. “Sipas Drejtorisë së Pronës në komunë, këtë vit ka filluar të shqyrtojë mundësinë e gjenerimit të të hyrave nga parcelat e kësaj zone.

Auditori ka shfaqur rrezikun që se lënia e pronave komunale në shfrytëzim të bizneseve pa marrëveshje/kontratë dëmton të hyrat e komunës dhe rrit rrezikun që shfrytëzuesit të manipulojnë me ato prona.

Komuna nuk di ku e ka 1/3 e pronave

Raporti zbulon se, Komuna nuk kishte arritur të kryej verifikimin e 1/3 së pronave të paluajtshme siç kërkohet me ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme nr. 03/L-204 dhe UA në fuqi. “Nga gjithsej 97,408 prona deri më tani komuna ka arrit të verifikoj vetëm rreth 23,521 sosh. Procesi i verifikimit është krejtësisht i ngjashëm me atë të regjistrimit për veç se nuk rezulton me regjistrim të një pronë të re mirëpo me përmirësimin e shënimeve ekzistuese”.

Sipas Auditorit, ekziston rreziku që mos verifikimi i 1/3 të pronave mund të rezultojë me mangësinë e informatave të plota të pronës së tatueshme aktuale, me ndikimin e mundshëm që të hyrat e vlerësuara për tatimin në pronë të ulen.

Mos gjenerimi i të hyrave nga taksat në biznes

Rregullorja për Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba Komunale parasheh ngarkesat vjetore për ushtrimin e disa nga veprimtaritë afariste të cilat operojnë në komunë. Drejtoria e Planifikimit Strategjik, e cila është e ngarkuar me këtë çështje nuk ka informata të sakta për numrin e veprimtarive afariste që janë të obliguara të paguajnë taksën komunale. Të hyrat nga kjo taksë mbështeten në deklarimin vullnetar të bizneseve. Sipas Auditorit, bizneseve të obliguara ndaj kësaj takse nuk iu është lëshuar faturë, njëkohësisht nuk figuron të jetë marrë ndonjë masë ndaj atyre që nuk kanë paguar. “Në këtë vit nga kjo taksë janë mbledhur 68,180 euro, apo 18 për qind më pak se vitin e kaluar kur ishin mbledhur 83,887 euro”.

S’ka softuer  për regjistrimi dhe raportimin e të hyrave

Është gjetur se Komuna nuk posedon ndonjë softuer për regjistrimin dhe raportimin e të hyrave që mblidhen nga departamenti i shërbimeve publike. “Gjatë vitit nga ky departament janë mbledhur 683,354 euro. Të dhënat regjistrohen në mënyrë manuale dhe barten nga viti në vit, duke rrezikuar saktësinë e tyre. Ne, nuk kemi mundur të marrim një bazë ku saktësisht dihet vlera e pagesës dhe obligimeve të shfrytëzuesve të hapësirave. Sipas zyrtarëve në të kaluarën ishte bërë një program për këtë lloj te të hyrave mirëpo ai ka ngecur”.

Shfrytëzimi pa pagesë nga bizneset i hapësirave publike

Në bazë të Rregullores për vendosjen, ndërtimin dhe largimin e objekteve në pronën publike komunale dhe vendimit të kryetarit për formimin e komisionit për dhënien e pëlqimeve, shfrytëzuesit e hapësirave publike përmes kërkesave të tyre apo inspektimit marrin pëlqimin/refuzimin për shfrytëzim e hapësirave publike. Për të njëjtën ata faturohen me tarifat e sezonit veror/dimëror10. Bazuar në këtë ne Auditori ka gjetur se: Komisioni për evidentimin e shfrytëzuesve në sezonin veror është krijuar pas fillimit të këtij sezoni me 19.05.2017, derisa lokalet afariste kanë vazhduar të funksionojnë pa marrjen e pëlqimeve.

Po ashtu komisioni për sezonin dimëror nuk ishte krijuar fare. Në anën tjetër 30 lokale kishin parashtruar kërkesë për marrjen e pëlqimeve, për të cilat nuk ka pasur përgjigje;

Edhe pse komisioni për dhënien e pëlqimeve në sezonin veror përbëhet nga pesë anëtarë, ky pëlqim nënshkruhet vetëm nga dy prej tyre. Kjo sipas zyrtarëve për shkak të angazhimeve të shumta të punonjësve dhe se dy nga anëtarët janë inspektorë.

“Ngecja në krijimin e komisioneve me kohë shkakton mos efikasitet në mbledhjen e të hyrave dhe dëmton reputacionin e komunës ndaj qytetarëve dhe shfrytëzuesve të hapësirave publike si kontribues të buxhetit. Derisa nënshkrimi i vendimit vetëm nga dy anëtarë të komisionit nuk jep siguri në marrjen e vendimeve të arsyeshme”, ka shfaqur rrezikun Auditori.

Dobësitë në planifikim dhe pranim të mallrave

Te pagesat e testuara të naftës për ngrohje, si pasojë e planifikimi jo adekuat, komuna ka bërë tejkalim të sasisë së kontratës. Auditori ka gjetur se në kontratën kornizë vlera e parashikuar vjetore për derivate të naftës për ngrohje dhe gjenerator është 30,000 litra. Megjithatë, vetëm në dy mostra Auditori ka vërejtur se sasia e pranuar ishte 111,295 litra. “Sipas komunës shkak i kësaj është zgjatja e procedurave të prokurimit për aktivitetin e ri si rezultat i ankesave dhe problemeve tjera procedurale. Po ashtu, përmes kësaj kontrate është bërë pagesa edhe për furnizim me derivate në vlerë 6,930 euro, pas skadimit të saj”.

Komuna ka keqplanifikuar edhe një kontratë korzinz. Auditori ka gjetur se në procesin e tenderimit për projektin “Renovime dhe përmirësime të infrastrukturës së objekteve shëndetësore dhe sociale” ishte kriter çmimi më i ulët. “Oferta fituese me çmimin më të ulët ishte 132,021 euro. Gjatë ekzekutimit, në disa pozicione janë bërë tejkalime të ndjeshme të sasive, më shumë se që ishin paraparë gjatë planifikimit e që në total sasitë e kontratës janë tejkaluar për mbi 200% (por jo në vlerë totale)13. Sipas nenit 5 të UA për kontratat publike kornizë, AK do të specifikojë në dosjen e tenderit vlerën ose sasinë e si një prag dhe do të lejoj derivim prej tij plus/minus 30%, dhe nëse urdhërblerjet tejkalojnë atë kontrata duhet të ndërpritet automatikisht”, thotë Auditori.

Lidhur më këtë veprim të Komunës, Auditori ka shfaqur dyshimet se planifikimi jo i përafërt i sasive rrezikon shpërblimin e ofertuesve më të shtrenjtë edhe pse në parim gjatë vlerësimit të ofertave mund të perceptohet sikur po shpërblehet oferta me çmimin më të lirë, dhe si rrjedhojë të shkaktohet humbje financiare për komunën dhe gjithnjë ekziston rreziku i keqpërdorimit gjatë tërë procesit të tenderimit dhe ekzekutimit të një kontrate.

Kundërligjshëm, Komuna shpërbleu me tender kompanitë më të shtrenjta

Vetëm në dy dosje të testuara është vërejtur mangësi gjatë procesit të vlerësimit të tenderit, si: për projektin “Inventarizimi i çerdhes së re në Tophane”, komuna shpërbleu kompaninë me çmimin 57,830 eurove, e jo ofertën më të lirë e cila ishte 47,587 eurove. “Komuna vlerësoi se kompania me çmimin më të lirë nuk kishte përmbushur kriterin e kërkuar për punë të kryera në furnizim me inventar minimum 50,000 euro për tri vitet e fundit. Komuna kishte kërkuar sqarime dhe ky i fundit kishte dërguar dëshmi të mjaftueshme që tregonin se përmbushte këtë kriter megjithatë ishte eliminuar. Kjo pakujdesi e komisionit të vlerësimit i ka kushtuar komunës me një kontratë me çmim më të lartë mbi 10,000euro”, thuhet në raport.

Ndërsa, në dosjen e tenderit “Furnizim me dy autoambulanca për QMU”, tek kërkesat mbi mundësitë teknike/profesionale, është kërkuar që kompania të sjellë deklaratën e garancisë nga prodhuesi, për automjete, në kohëzgjatje prej 24 muaj. Sipas Auditorit, kompania fituese, gjatë kohës së aplikimit, nuk e kishte ofruar deklaratën e garancionit nga prodhuesi, por kishte përgatitur një deklaratë formale të nënshkruar nga vetë kompania. “Në raportin e vlerësimit, komisioni kishte konstatuar se kompania kishte plotësuar të gjitha kriteret dhe ishte i përgjegjshëm duke e shpallur kështu fitues. Pas pranimit të autoambulancave, kompania kishte sjellë dhe garancionin nga prodhuesi”.

Lidhur më këto dy të gjetura, Auditori ka shfaqur rrezikun që vlerësimi jo i drejtë i ofertave rrezikon që komuna të paguajë çmime jo konkurruese si dhe krijon hapësirë për ofertuesit të shfrytëzojnë të drejtat për ankesë dhe si rrjedhojë të zvarritet realizimi i projekteve. Gjithashtu, vlerësimi i kompanive si i përgjegjshëm, ndërkohë që nuk kishte plotësuar një kriter të rëndësishëm siç është garancia, rrezikon që kompania mos t’ju përmbahet kushteve të kontraktuara

Lidhja e kontratave në mungesë të zotimit të mjeteve

Sipas Rregullës Financiare 01/2013, asnjë kontratë nuk duhet të nënshkruhet pa zotimin paraprak dhe se zotimi duhet të jetë pjesë përbërëse e kontratës. Por, Auditori ka gjetur se, kontrata për “Rregullimin e parkut afër sallës 1 Tetori” me vlerë 79,376 euro, ishte nënshkruar pa zotimin paraprak të mjeteve. Zotimi ishte bërë pas pranimit të faturës. Gjithashtu, për kontratën për “Furnizim me dy autoambulanca për QMU” me vlerë 103,996 euro, zotimi ishte jo i plotë në vlerë prej 50,000 euro. Zotime të jo të plota ishin gjithashtu edhe tek kontratat si: trajtimi i qenve endacak dhe trajtimi i mbetjeve ndërtimore.

Vonesa në realizimin e kontratave

Me rastin e nënshkrimit të kontratave përcaktohet edhe koha e realizimit të tyre. Auditori ka vërejtur se kishte vonesa në projektet si në vijim: Procesi i ndërtimit të Bulevardit mbi kurriz, është përcjellë me mangësi të projektuese dhe vonesa të mëdha. Projekti me vlerë 977,725 euro, për të cilin është nënshkruar kontrata me 12/06/2015 është paraparë të përfundojë pas 180 ditësh, dhe i njëjti nuk është përfunduar ende. “Në shtator të vitit 2017 është ndërruar edhe menaxheri i kontratës, për tu zëvendësuar me një menaxher të ri i cili është duke pritur raportin e një komisioni për vlerësimin e punëve të mëparshme, pozicioneve shtesë, dhe me pas të vazhdojë me mbikëqyrje të projektit. “Komuna nuk ka aplikuar penale, mirëpo i vetmi ndëshkim ishte tërheqja e vërejtjeve ndaj kompanisë. Po ashtu kompanisë i janë paguar pozicione të gjelbërimit edhe pse nuk kishte siguruar çështjen e ujitjes së tij gjë e cila ka ndikuar në tharjen e shumë drunjëve””, thotë Auditori.

Po ashtu, sipas kontratës “Furnizim me inventar për administratën komunale”, në vlerë 55,150 eurove, e nënshkruar me 21/11/2016 dhe planit te menaxhimit të kontratës, afati i përmbushjes ishte 45 ditë nga data e nënshkrimit. “Furnizimi është bërë me 05/07/2017, përkatësisht shtatë muaj me vonesë. Në ndërkohë, siguria e ekzekutimit kishte skaduar dhe e njëjta nuk ishte ripërtërirë. Sipas menaxherit të kontratës, afati i realizimit të kontratës është shtyrë për shkak të mungesës së hapësirës për vendosje të inventarit nga komuna”, thotë auditori.

Në planin e menaxhimit për kontratën “Ndërtimi i rrugës Barilev-Besi” është përcaktuar fillimi i punimeve si dhe kohëzgjatja e tyre në një afat prej 180 ditësh. Kontrata është nënshkruar në tetor 2015, ndërkohë që punët nuk kanë përfunduar ende. “Sipas menaxherit të projektit, shkak për vonesën në realizimin e punëve janë problemet me shpronësime të cilat janë vënë në pah pas fillimit të punëve. Kjo si pasojë e nisjes së projekteve pa bërë shpronësimin e tokave që do të jenë pjesë e projektit paraprakisht”, thotë Auditori.

Auditori i ka dhënë Komunës 25 rekomandime për këtë vit. /Lajmi.net/