Shpend Ahmeti e humb ‘luftën’ me HIB Petrol-in

Organi Shqyrtues i Prokurimit, OSHP ka hedhur poshtë vendimin e komunës së Prishtinës, për ta përjashtuar HIB Petrol nga konkurrenca për furnizim me naftë për shkolla. Pas kësaj kryetari Shpend Ahmeti, ka paralajmëruar se do ti publikoj  rezultatet e analizave, përkundër që nga Prokuroria i është thënë që të mos publikohen.

Lajme

12/12/2014 16:24

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se do të bëjnë publike të gjitha analizat e prokurorisë lidhur me rastin e kompanisë ‘HIB Petrol’, edhe pse siç ka bërë të ditur ai, nga prokuroria i është thënë që mos ti bëjë  publike rezultatet.

Organi Shqyrtues i Prokurimit, OSHP sot ka marrë vendim që të anuloj vendimin e komunës për ta përjashtuar HIB Petrol nga konkurrenca për furnizim me naftë për shkolla, dhe Ahmeti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se për hir të interesit publik do ti publikojnë rezultatet e analizave, shkruan lajmi.net.

Ja postimi i plot i Shpend Ahmetit

Sot Organi Shqyrtues i Prokurimit, OSHP (kryesuesi i të cilit ka aktakuzë tashmë) ka vendosur ta anulojë vendimin e komunës për ta përjashtuar HIB Petrol nga konkurrenca për furnizim me naftë për shkolla.

Para 9 muajve, Komuna ka ndërprerë kontratën me HIB për shkak se në shumicën e shkollave ka dal që nuk kemi naftë.

Ne kemi paditur kompaninë, dhe kemi dorëzuar kallëzim penal në prokurori.

Unë kam marrë shkresë nga prokuroria me analizat që ata i kanë bërë në shkolla. Ato analiza kanë konfirmuar që në shkollat tona nuk ka pas naftë. PROKURORIA MI KA DORËZUAR ATO ME URDHËRIN QË MOS TI PUBLIKOJMË SEPSE PËRNDRYSHE DO TË MË NDJEKIN PENALISHT.

Pas këtij vendimi dhe në mbrojtje të interesit publik, dhe në emër të luftës kundër keqpërdorimeve, neve na duhet ti publikojmë të gjitha analizat e prokurorisë për këtë rast, për të treguar se çfarë vendimi ka marr OSHP.