Shoqata e luftës të hënën bëjnë të ditur veprimet e tyre

Të hënën do të dihet se cili do të jetë veprimi i Organizatave të dala nga lufta, pas vendimit të Rektorit Ramadan Zejnullahu, për shkëputje të zbatimit të memorandumit. Përfaqësues të këtyre organizatave i kanë kërkuar ministrit Bajrami që ta kontestojë këtë vendim.

Lajme

10/01/2015 13:39

Organizatat e dala nga lufta, të hënën do bëjë të ditur qëndrimin dhe masat që do t’i marrin pas vendimit të Rektorit të Universiteti të Prishtinës (UP), Ramadan Zejnullahu, për shkëputje të zbatimit të memorandumit.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari.

Ai vendimin e rektorit e ka quajtur si shkelje e mëtutjeshme e memorandumit në mes të UP-së dhe Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Jashari për KosovaPress ka thënë se për vendimin e tyre do të konsultohet me përfaqësuesit e tri organizatave të dala nga lufta dhe të hënën do të dalin me njoftim për media për veprimet e tyre.

“Ne nuk do të përjashtojmë asnjë mundësi të veprimit për këtë të drejtë që na takon, sepse memorandumi është në fuqi dhe i detyron palët ta respektojnë marrëveshjen që e kemi mes Organizatave të dala nga lufta dhe Rektoratit të Universitetit të Prishtinës”, tha Jashari.

Ai tha se ata e kanë dërguar kërkesën te ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, duke kërkuar që ky vendim i marrë dje nga ana e rektorit, të kontestohet, pasi që sipas tij, ai nuk ka vepruar në përputhje me shkresën e ministrit, e cila ka qenë që vendimet e marra së pari të shkojnë në konsultë me Këshillin Drejtues dhe me Senatin e UP-së.

Ndryshe, dje rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, ka shkëputur përfundimisht marrëveshjen e memorandumit të bashkëpunimit në mes UP-së dhe kategorive të dala nga lufta për regjistrim të familjarëve të tyre në UP.