Shembull për Ballkanin

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Prishtinën, Isa Mustafa, ka premtuar ndërtimin e një qendre multimodale që do ta ketë lakmi i gjithë Ballkani. Pos kësaj, Prishtinën do ta bëjë me tren urban dhe kopsht botanik.

Lajme

17/10/2013 15:32

Isa Mustafa ka deklaruar se e ka planifikuar ndërtimin e një qendre multimodale për komunikacionin me autobus, tren dhe tramvaj. Sipas tij, kjo pos që i shërben vendit tonë, do t’i shërbejë edhe Ballkanit.

“Qendra multimodale është një qendër me të cilën ne do ta koncentrojmë komunikacionin me autobus, tren dhe tramvaj. Është lokacioni në rrugën në të djathtë që shkohet për në Fushë Kosovë, pranë hekurudhës, pra, pjesa e zonës së vjetër industriale të cilën e kemi pasur atje”.

“Kjo është autostrada, unaza e brendshme, vija hekurudhore dhe kjo pjesë parashihet të jetë në këtë qendër e cila nuk do të  jetë vetëm qendër për komunikacion, qoftë për autobus, tren ose tramvaj, por do të jetë edhe qendër e mallrave, sepse aty do të shkarkohen dhe depozitohen mallrat që do t’u shërbejnë pastaj ekonomisë dhe qytetarëve”.

“Ajo mund të shërbejë edhe në nivel të Ballkanit, që ta kenë si pjesë referuese Kosovën”.

Kryetari aktual i Prishtinës ka shpalosur planin për një tren urban që lidh Prishtinën e Re me qendrën e qytetit.

“Parashihet që në të ardhmen jo të afërt ta kemi edhe trenin urban, i cili e kap unazën e brendshme të qytetit – nga shkolla e mjekësisë te Xhamia e Llapit, në udhëkryqin Mitrovicë – Fushë Kosovë, dhe të kthehet prapë te spitalet, dhe prapë lidhur me të të jetë edhe një trase, në zonën lindore të Prishtinës, në mënyrë që ta lidhim Prishtinën e Re me qendrën e qytetit”.

Mustafa ka ndarë një hapësirë të sipërfaqes së pyllit që me ndihmën e donacioneve është shndërruar në një kopsht me arinj.

“Në zonën  lindore ne parashohim kopshtin botanik, i cili në atë pjesë do të lidhet me kopshtin zoologjik të cilin ne e kemi filluar në mënyrë iniciale me vendosjen e arinjve afër liqenit të Badovcit”.

Gjithashtu, ai ka ritheksuar se do ta ndërtojë edhe stadiumin futbollistik, i cili do t’i plotësojë kriteret e FIFA-s.