SHBA-të kërkojnë bashkëpunim nga shtetet e rajonit, në luftën kundër terrorizmit

Ka nisur punimet sot në Tiranë, samiti rajonal për luftën kundër terrorizmit. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Saimir Tahiri në fjalën e tij gjatë këtij takimi iu ka kërkuar përfaqësuesve të vendeve të rajonit të bashkëpunojnë dhe të hetojnë bashkërisht për të luftuar terrorizmin, që Ballkani të mos jetë më vendi nga ku eksportohen terroristë.

Lajme

19/05/2015 13:21

Tahiri tha se në luftën kundër terrorizmit, shtetet duhet të dalin nga agjendat e ngushta kombëtare dhe nga politikat e ngushta, pasi terrorizmi nuk njeh kufij, dhe vepron më shpejtë se qeveritë.

Ndërsa, nënsekretarja për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Sarah Seëal, e pranishme në Tiranë vetëm për të marrë pjesë në këtë samit, kërkoi më shumë bashkëpunim mes qeverive të rajonit por edhe mes shteteve të të gjithë botës, në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, pasi siç u shpreh ajo, ekstremizmi është një problem global.

Përveç ministrave të brendshëm të vendeve të rajonit, marrin pjesë edhe përfaqësues të disa vendeve të BE-së. Samiti do të zhvillohet për dy ditë me radhë me dyer të mbyllura, në pjesën më të madhe të agjendës.