SHBA-ja pro ushtrisë, BE-ja kundër

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, e ka vlerësuar historik miratimin e ligjeve për formimin e ushtrisë së Kosovës, ndërsa zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë thënë se ushtria e Kosovës duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.

Lajme

14/12/2018 09:27

Kuvendi i Kosovës sot do të miratojë Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Shërbimin në FSK, përmes të cilave do t’i ndryshohet mandati i FSK-së nga ai civil në atë ushtarak, por pa ia ndryshuar emrin.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë Philip Kosnett e ka mbështetur këtë vendim, ndërsa zëdhënësja e Bashkimit Evropian Maja Kocijançiq ka thënë se BE-ja vazhdon të insistojë që ushtria të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“BE-ja vazhdon t’i ndajë pikëpamjet e qarta të NATO-s dhe të SHBA-së se mandati i FSK-së duhet të ndryshohet vetëm përmes një procesi gjithëpërfshirës në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Kocijançiq për “Zërin”.