Sharrcem fiton kontestin gjyqësor

Sharrcem njofton se ka fituar kontestin gjyqësor ndaj Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, i cili ishte ngritur nga ky i fundit në korrik të vitit 2012 mbi dyshime për çrregulllimin e tregut të çimentos në Kosovë.

Lajme

29/09/2013 12:46

Fabrika për prodhimin e çimentos ‘Sharrcem’, përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se ka fituar kontestin gjyqësor ndaj Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, i cili ishte ngritur nga ky i fundit në korrik të vitit 2012 mbi dyshime për çrregulllimin e tregut të çimentos në Kosovë.

Në muajin korrik, në kohën kur Ministria e Tregtisë dhe Industrisë pati aplikuar masa mbrojtëse për prodhuesit e çimentos, duke aplikuar taksën prej 35 për qind për të gjithë importuesit e çimentos, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës pati nisur hetimet nën dyshimin për çrregullim të konkurrencës nga Kompania Sharrcem.

Një vit më vonë, kompania ‘Sharrcem’ njofton se ka fituar rastin.

“Kemi mposhtur të gjitha akuzat e ngritura duke bërë kështu që deklaratat publike të Ahmet Krasniqit, Ushtruesit të Detyrës së Autoritetit të Konkurrencës, e po ashtu, edhe hetimet më se një vjeçare të këtij autoriteti, të rezultojnë të kota”.

“Komisioni i Konkurrencës duke i marrë për bazë të gjitha rrethanat ekzistuese, vendimin e MTI’së për masat mbrojtese të prodhimeve vendore me Tarifë 35 për qind, të mbështetur në Ligjin për Masat Mbrojtese, si dhe në të gjeturat nga raporti i Sekretariatit të Autoritetit të Konkurrencës, Komisioni vendosi se nuk ka prova të mjaftueshme me të cilat vërtetohet shkelja e dispozitave ligjore të Ligjit per Mbrojtjen e Konkurrencës dhe vendosi si në dispozitiv”thuhet në njoftimin për media të ‘Sharrcem’.

“Që nga fillimi, baza ligjore e këtij hetimi ka qenë diskutabile dhe procedura është zhvilluar nën hijen e deklaratave të ndryshme mediale të anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës ku paralajmërohej se Sharrcem do të dënohet me një gjobë prej 3 milionë euro.  Përkundër faktit se procesi para Autoritetit të Konkurrencës ka zgjatur për më shumë se një vit dhe gjatë kësaj periudhe jemi përfolur në media me akuza të pabazuara, jemi të lumtur që më në fund drejtësia drejtësia ka mbizotëruar dhe është dëshmuar se Sharrcem ka vepruar në pajtueshmëri të plotë me ligjin”, ka  deklaruar Emmanuel Mitsou, Drejtor Menaxhues i Fabrikës Sharrcem.

“Së fundmi, Autoriteti në fjalë  është përfolur nga mediet dhe ekspertët ekonomik si joefikas, i lidhur me partinë në pushtet dhe jostabil duke mos pasur strukturë profesionale dhe kuorum të mjaftueshëm për marrje të vendimeve. Si i tillë është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në nëntor të vitit 2008 dhe është organ i pavarur që ka përgjegjësinë dhe autoritetin për zbatimin e ligjit për konkurrencën dhe promovimin e konkurrencës ndërmjet ndërmarrjeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve në Kosovë. Halit Shabani, Gani Asllani dhe Ahmet Krasniqi janë anëtarë të tij”, përfundon njoftimi i Fabrikës Sharrcem.