Shaip Muja dhe Melihate Tërmkolli përplasen për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

Deputeti i PDK-së, Shaip Muja, dhe deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, janë përplasur për projektligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Lajme

30/03/2017 16:49

Muja ka paraqitur projektligjin në Kuvend, që është përkrahur në parim nga të gjitha partitë politike. Megjithatë, ishte deputetja e LDK-së Melihate Tërmkolli që tha se ata që e dinë mirë historinë e Kosovës dhe ata që e kanë projektuar pavarësinë e Kosovës, do duhej të kishin përpara dy projektligje, për memorialin “Ibrahim Rugova” dhe memorialin “Adem Jashari”.

“Unë veç në këtë mënyrë e votoj këtë projektligj, dhe ftoj edhe LDK-në ta bëjë këtë, por edhe partitë tjera”, tha Tërmkolli.

Ndaj Tërmkollit replikoi deputeti Muja. Ai tha se më së paku ka pritur që të thotë dikush se po bëhet fushatë me këtë projektligj. Sipas Mujës po bëhet përpjekje për ta shpëtuar një vlerë të jashtëzakonshme kombëtare, pasi “Ademi nuk ka vdekur për një njeri, por për tërë Kosovën”.

Përsëri ka reaguar Tërmkolli e cila ka thënë se të gjithë e dinë vlerën e Ibrahim Rugovës dhe për të di e gjithë bota, raporton kp. “Askush nuk është kundër ligjit për memorialin Adem Jashari, por kujtesa historike duhet të jetë e plotë, jo selektive”, ka shtuar ajo.

Për këtë projektligj Qeveria e Kosovës nuk e ka dhënë asnjë koment, derisa u kritikua nga deputetët pse nuk ka gjetur kohë të jap komentet e saj.