Shahini fton investitorët serbë në Kosovë

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini ka ftuar sot bizneset serbe që të investojnë në Kosovë. Ai nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Dhomën Tregtare të Shumadisë. 

Lajme

16/05/2014 18:41

Është nënshkruar sot në Kragujevc marrëveshja e bashkëpunimit në mes të Aleancës Kosovare të Bizneseve dhe Dhomës Tregtare të Shumadisë në Serbi.

Përmes nënshkrimit të kësaj marrëveshje, përfaqësuese të këtyre dy institucioneve, kanë thënë se ekonomia dhe tregtia duhet i paraprijë politikës.

Kryetari i Dhomës Tregtare të Shumadisë, Dusan Pauça, ka thënë se kjo marrëveshje po bëhet në kuadër të bashkëpunimit që i lejohet nga CEFTA. Ai tha se për tregtarët e rajonit të Shumadisë, Kosova përbënë tregun më të rëndësishëm.

“Ekzistojnë një numër i madh i problemeve që duhet të zgjidhen, por këtë duhet t’ia lëmë Qeverive të Serbisë dhe Kosovës që të sjellin vendime adekuate. Janë biznesmenët që mund të fillojnë zgjidhjen e problemeve në mes të dy vendeve”.

Ndërsa, Kryetari i ABK-së, Agim Shahini tha se kjo marrëveshje në mes këtyre dy agjencive, vjen pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit.

Ai u ka bërë thirrje biznesmenëve nga Serbia që të investojnë në Kosovë, ku sipas tij, do të lirohen nga taksat për çdo investim më të madh se tre milion euro për 3 vjet dhe punësim të 30 punëtorëve.

“Për çdo vit, importi vjetor që vije nga Serbia në Kosovë është 280 milion euro mall, ndërsa nga Kosova në Serbi 20 milion euro”, ka thënë Shahini, i cili shtoi se qëllimi i prodhuesve kosovar është që prodhimet e tyre t’i plasojnë edhe në tregun e Serbisë.

Në këtë takim ishte edhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies i Qeverisë në ikje të Kosovës, Nenad Rashiq.