Serbia s’është e gatshme për përmirësimin e pozitës së pakicave

Qeveria serbe nuk po shpreh gatishmëri për përmirësimin e pozitës së pakicave në përgjithësi e veçanërisht të drejtat e shqiptarëve, tha deputeti nga Lugina e Preshëvës në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi.

Lajme

01/03/2015 12:19

Ndërprerja e bisedimeve me shqiptarët e Luginës, të iniciuar në vitin 2013, pas heqjes së dhunshme të Lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, sipas tij u bë nga vet qeveria serbe, transmeton Rtklive.

Halimi, ka akuzuar të ashtuquajturin Trup Koordinues qeveritar serb për ndarje simbolike të mjeteve materiale për komunat e Luginës, mjete këto, që ndonëse jo të mjaftueshme, po ndikojnë që këtyre komunave t’iu ndalohet e drejta për konkurrim përmes projekteve në ndonjërën nga ministritë përkatëse, ndryshe nga që bëjnë komunat tjera të Serbisë, të cilat fitojnë dukshëm më shumë mjete se që ndan Trupi Koordinues.

Nga ana tjetër Belgzim Kamberi, kryetar i KDNJ-së, ka theksuar se përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës nuk duhet lejuar legjitimimin e diskriminimit shtetëror përmes pranimit të mjeteve materiale të Trupit Koordinues.

Sipas një raporti të publikuar ditë më parë, Trupi Koordinues qeveritar për vitin 2015 ka ndarë rreth 2 milionë euro mjete për tri komunat e Luginës. Ndërkaq, përmes konkurrimit me projekte, një komunë, siç është Surdulica, gjatë vitit të kaluar i janë caktuar 8 milionë euro.