Serbi: 65 për qind e qytetarëve kundër anëtarësimit në NATO

Përkrahja e qytetarëve të Serbisë për anëtarësimin e shtetit në NATO ka rënë nga 20 për qind, sa kanë qenë për integrimet atlantike në vitin 2009, në 13 për qind.

Lajme

14/12/2015 20:22

Të dhënat u bënë publike sot në Beograd, në Javën e tretë të NATO-s, ku u tha se madje 65 për qind të qytetarëve të Serbisë janë kundër hyrjes së vendit në Aleancën Veri-Atlantike.

Deputeti i Partisë Përparimtare Serbe – SNS, Dragan Shormaz konsideron se përkrahja e këtillë e dobët e qytetarëve është rezultat i propagandës së fuqishme që po zhvillohet kundër NATO-s.

Ai në panelin “Debat po, dezinformata jo: faktet përballë propagandës”, ka thënë se asnjë qeveri që nga tetori i vitit 2000 “nuk është lodhur për t’ua shpjeguar qytetarëve benefitet nga anëtarësimi i Serbisë në NATO”.

Kryetari i Aleancës Atlantike të Serbisë Vladan Zhivuloviq ka thënë se propaganda e medias kundër NATO-s është pasojë e ndikimit ekonomik të Rusisë, ku, sipas tij, shtetas serbë punojnë dhe krijojnë profit dhe ku, siç theksoi, gjenden edhe selitë e disa mediave, ndër të cilat edhe ajo e gazetës “Politika”.

“Atje fitohen paratë, kurse këtu paguhen mediumet”, ka thënë Zhivuloviq./rtk