Serbët në jug irritohen nga ata në veri

Vendimi i liderëve lokalë serbë nga komunat veriore për bojkotimin e heshtur të zgjedhjeve të 8 qershorit i ka irrituar mjaft shumë serbët e pjesëve tjera të Kosovës.

Lajme

06/06/2014 09:11

Arsyetimi i veriorëve se bojkoti i tyre ndërlidhet me pamjen e fletëvotimeve dhe simbolet e shtetit të Kosovës, nuk shihet aspak si i qëndrueshëm nga pjesa tjetër e liderëve të këtij komuniteti.

Pa kritika nuk ka shpëtuar as Beogradi dhe qeveria e Aleksandër Vuçiqit, e cila thirrjen për dalje në zgjedhje e ka bërë vetëm përmes një komunikate me shkrim dhe një deklarate të shkurtë të kryeministrit serb për media.

Ndaj gjithë kësaj situate, e cila është krijuar me vendimet e Listës Serbe për fushatë zgjedhore vetëm në jug dhe jo në veri, ndër shumë përfaqësues serbë ka reaguar edhe kandidatja e kësaj liste nga Graçanica, Rada Trajkoviq.

Sipas saj, me vendimin për bojkot të heshtur, kryetarët e rinj serbë në veri po veprojnë njësoj sikurse edhe ish-udhëheqësit e strukturave paralele me në krye Marko Jakshiqin.

“Me mosdaljen e serbëve në zgjedhje, si dhe me refuzimin që t’i thirrin ata që të dalin në zgjedhje, në esencë, ata po e rehabilitojnë Marko Jakshiqin. Fitues nga e gjithë kjo është Marko Jakshiq dhe strategjia e tij e bojkotimit të gjithë asaj që është e ndërlidhur me institucionet në Prishtinë”, – ka thënë Trajkoviq.

Ajo i ka bërë thirrje edhe kreut të qeverisë në Beograd që të reagojë në mënyrë që drejtuesit e Listës Serbe nga veriu të sillen në përputhje me interesat e serbëve të Kosovës, në përgjithësi, pa dallime rajonale.