Senatorja e Holandës: Shqipëria duhet të punojë fort për çeljen e negociatave

Presidentja e Senatit të Holandes, Ankie Broekeres-Knol, në një konferencë të përbashkët me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, tha se ky do të jetë një vit i vështirë për Shqipërinë, por shprehu bindjen se kjo është mundësi e mirë për të punuar fort dhe të plotësojë kushtet, në mënyrë që vitin e ardhshëm të hapë kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian.

Lajme

05/07/2018 10:23

“Shqipëria është një vend europian dhe i përket familjes europiane dhe për këtë unë jam e bindur. Deri në qershor 2019 ju do të keni përmbushur detyrimet tuaja për të hapur negociatat dhe më vonë për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian.

Edhe pse ky do të jetë një vit shumë i vështirë, unë mendoj që është një mundësi shumë e madhe që Shqipëria do të punojë fort në mënyrë që vitin tjetër askush mos ketë më për çfarë të ankohet për atë çfarë Shqipëria ka bërë dhe ka përmbushur në lidhje me mundësinë e saj për t’u bërë ndoshta në të ardhmen një vend anëtar i BE-së”, tha Broekeres-Knol.

“Jam e sigurtë se në fund ne do të kthehemi në Holandë me një përshtypje të mirë nga Shqipëria”, shtoi Presidentja e Senatit të Holandës.