Selmanaj: Deçani s’ka tokë me i fal Manastirit, s’e pranoj vendimin

Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, gjatë protestës së sotme që është zhvilluar në Deçan, kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për t’ia dhënë 23 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, i ka bërë thirrje Manastirit që të heq dorë nga dhuratat e Millosheviqit dhe të kuptojë se Deçani nuk ka tokë për të fal.

Lajme

16/06/2016 13:35

Në protestën e sotme, morën pjesë mijëra qytetarë, e cila përfundoi e qetë, kryetari Selmanaj tha se ndërmarrjet publike “Apiko” dhe “Iliria” dy herë e kanë fituar procesin gjyqësor për pronat e tyre, por me ndërhyrjet politike ka ndodh që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim antikushtetues, i cili nuk do të zbatohet asnjëherë, njofton Teleskopi.net.

“I bëj thirrje zotit Sava, që të distancohet nga krimet e Millosheviqit dhe po ashtu nga dhuratat e tij. Shqiptarët çdo herë e kanë mbrojt këtë Manastir dhe do ta mbrojmë sërish, por Deçani nuk ka toka me i fal Manastirit. Po kërkojmë që më heq dorë nga toka e shqiptarëve”, tha Selmanaj dhe shtoi se Manastiri dhe zoti Sava po shkojnë duke e izoluar vetën, “po shkojnë drejt getos”.

Selmanaj po ashtu theksoi e Manastiri asnjë herë nuk ka me u bërë pronar i këtyre pronave. “Unë si kryetar komune dhe komuna të cilën unë e drejtoj, as nuk e pranon e as nuk e zbaton këtë vendim, sepse është në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe me interesant e qytetarëve”, tha ai.

Selmanaj bëri publike një bisedë, që siç tha e ka pasur me një mik ndërkombëtar, të cilit i ka thënë se edhe njëmijë vendime apo pamflete le t’i merr Gjykata Kushtetuese, nuk do të zbatohen, sepse 60-mijë banorë janë kundër këtij vendimi.

Selmanaj në fund theksoi e është keq që sot në Ditën e Çlirimit të Deçanit protestohet, por ai porositi se do të protestohet serish, derisa vendimi i Gjykatës Kushtetuese të ndryshojë dhe procesi të rikthehet në instanca gjyqësore.

Ndryshe, kohë më parë Gjykata Kushtetuese mori vendim që 23 hektarë tokë të ndërmarrjeve publike “Apiko” dhe “Iliria” t’i dhuroheshin Manastirit të Deçanit, i cili vendim konsiderohet si legjitimim i vendimit të pushtetit ët Serbisë, i cili në vitet e 90-ta këto prona ia kishte fal Manastirit të Deçanit.