Selimi: Kosova nuk do të ketë më njohje të shpeshta

Këtë vit për Kosovën erdhën vetëm katër njohje të reja. Petrit Selimi thotë se MPJ vitin që po e lëmë pas më shumë ishte e interesuar të anëtarësohej në organizata, sesa të shtonte numrin njohjeve. Ndërsa, Afrim Hoti e quan dështim të politikës së jashtme, numrin e vogël të njohjeve. Ai tha se Kosova po përfaqësohet jashtë nga joprofesionistë.

Lajme

27/12/2014 11:23

Viti 2014 për Kosovën ka qenë më i varfëri në aspektin e njohjeve, që pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008.

Gjatë këtij viti, Kosova është njohur vetëm nga 4 shtete. Por sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), numri i njohjeve nuk mund të ketë ritmin e njëjtë ashtu siç ka pasur në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, janë shtete që kanë probleme të brendshme.

“Duke marrë parasysh që numri i njohjeve ka kaluar mbi 100, shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën janë shtete që kanë problem të brendshme,apo me probleme qeverisëse”.

“Numri i njohjeve matematikisht nuk është i mundur të rritet ashtu siç ka qenë në vitet e para pas pavarësisë”, ka thënë ai.

Selimi ka edhe arsyet për numrin e vogël të njohjeve që kanë ardhur në vitin 2014. Ai thotë se fokusi i tyre këtë vit ka qenë anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, por që edhe ngërçi politikë ka ndikuar.

“Fokusi i diplomacisë kosovare këtë vit ka qenë njohjet në organizata, dhe në këtë aspekt, Kosova e ka forcuar identitetin shtetëror pasi që është njohur nga Komisioni i Venedikut të Këshillit të Europës,SEECP-ja, edhe organizata tjera rajonale, përveç  4 njohjeve në baza bilaterale”.

“Natyrisht ngërçi politikë ka shkaktuar një ngadalësim të veprimit”, ka thënë Selimi për lajmi.net.

Ai duke folur për anëtarësimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare, ka thënë se kjo do ta  forcojë shtetësinë  Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Anëtarësimi në Komisionin e Venedikut të Këshillit të Europës, është direkt i ndërlidhur me anëtarësimin tonë në Këshill të Europës, dhe ka qenë hap përgatitur për ta testuar shumicën e 2/3, prandaj absolutisht janë të ndërlidhura me forcimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Selimi.

Tonga, Lesoto, Togo dhe Ishujt Sollomon, janë katër vendet që e kanë njohur Kosovën gjatë këtij viti, që sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hotit, ky fakt është mjaftë shqetësues.

Ai për lajmi.net tha se janë tri probleme kryesore që Kosova ka dështuar në diplomaci: mungesa e një strategjie të qartë, stafi diplomatik jo profesional dhe humbja e kredibilitetit ndërkombëtar.

“Politika jonë e jashtme vepron edhe më tutje pa një strategji të qartë jo vetëm të hartuar, por që duhet edhe të zbatohet”.

“Ndërtimi i një shërbimi të jashtëm shumë jo efikas, të përbë nga njerëz që kanë afilacione familjare nepotiste, por në asnjë rast profesionale. Dhe treta humbja e kredibilitetin ndërkombëtar që ka sjellë një lloj mungese në koordinimin me fuqitë e mëdha  me faktorët kyç që munden mi dhanë një impuls të ri njohjeve”.

“Nga çështje anësore mund të përmendim edhe faktin që  ky vit shkoi krejtësisht në frymën e zgjedhjeve dhe një proces shumë jo stabil politikë, i cili e ka ulur elanin edhe trendin e veprimeve,  të institucioneve tona për politikë të jashtme”.

Hoti vlerësoi faktin që ish kryeministri, Hashim Thaçi, po udhëheqë me Politikën Jashtme, që sipas tij, është një argument ose një vlerë shtesë. Por , përkundër kësaj, Hoti tha se drejtimi i politikës së jashtme nga një ish kryeministër, nuk mjafton që të thuhet që apriori politika e jashtme do të këndellet, nëse nuk ka një strategji të qarët të punës.

Kosova që nga shpallja e pavarësisë së saj, me 17 shkurt është njohur nga 108 vendet të botës. Pavarësia e Kosovës vazhdon të mos njohët nga Serbia dhe 5 vendet anëtarë të përhershme të Bashkimit Europian.