Selimi: Disa individë po mundohen të maskojnë veprat e tyre

Institucionet e Kosovës dhe as ministri i punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, asnjëherë nuk ka bërë nxitje dhe mbështetje për lëvizjet radikale në Siri.

Lajme

13/08/2014 16:39

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në detyrë, Petrit Selimi, ka thënë për Radio Kosovën se disa individë po mundohen të maskojnë veprat e tyre me një takim që zyrtarë të institucioneve të Kosovës zhvilluan me opozitën demokratike siriane në Prishtinë.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës gjithmonë do të jetë përkrahëse e të gjithë atyre që përcjellin politika euroatlantike.

“Patjetër se ministri Hoxhaj, Qeveria e Kosovës, kryeministri Thaçi dhe presidentja e vendit kanë nxitur përkrahjen për një Siri demokratike, për lëvizjen demokratike. Kosova është anëtare në organizatën ‘Miqtë e Sirisë’, edhe padyshim edhe SHBA-të, edhe Britania dhe të gjithë partnerët euroatlantik të Kosovës e nxisin një zhvillim demokratik të Sirisë”

“Por lëvizjet radikale, lëvizjet ekstremiste, lëvizjet të cilët merren me këputje kokash dhe me një propagandim të një versioni shumë ekstremist politik, nuk mund të përkrahen dhe kurrë nuk ka pasur nxitje për diçka të tillë”.

“Republika e Kosovës ka pasur një takim me opozitën demokratike siriane në Prishtinë, takim ky i organizuar nga fondacioni Soros, jo nga MPJ, dhe referimi i këtij takimi për ta maskuar një politikë që ka qenë shumë e keqe e disa individëve kosovarë, të cilët janë marrë me zhvillime ekstremiste dhe radikale, thjesht nuk përkon me realitetin”, ka thënë ndër të tjera Selimi.