Sejdiu: LDK e VV nuk janë për mbikëqyrje të dialogut, e as për rrëzim të qeverisë

Nënkryetari i PSD-së, Dardan Sejdiu ka thënë se ky subjekt ditë më parë ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të ndërpresë pushimin dhe të rifillojë punën për shkak të çështjes së dialogut.

Lajme

18/08/2018 15:07

Madje sipas Sejdiut, PSD i ka dërguar shkresë zyrtare për këtë gjë kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Përmes një postimi në Faceboo, Sejdiu po ashtu ka treguar se LDK dhe VV nuk i kanë jap nënshkrimet për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme në lidhje me fazën finale të dialogut.

Postimi i plotë i Sejdiut:

2 gusht – Partia Socialdemokrate (PSD) përmes një konference për media ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të ndërpresë pushimin dhe të rifillojë punën për shkak të çështjes së dialogut.

3 gusht – Grupi Parlamentar i PSD-së i është drejtuar kryekuvendarit Kadri Veseli me shkresë zyrtare për ndërprerjen e pushimit të Kuvendit, duke e ftuar atë që ta ftojë mbledhjen e Kryesisë për datën 6 gusht, për ta caktuar seancën e veçantë për dialogun.

6 gusht – Kadri Veseli ktheu përgjigje përmes së cilës njoftoi se Kuvendi nuk do të fillojë punën deri në javën e dytë të shtatorit. Në përgjigjen e tij, ai përmendi procedurat e thirrjes së seancës së jashtëzakonshme.

7 gusht – PSD iu drejtua dy partive të tjera opozitare (LDK dhe VV) me kërkesën për mbështetje drejt sigurimit të nënshkrimeve të nevojshme për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme në lidhje me fazën finale të dialogut. Bashkëngjitur kësaj kërkese iu është dërguar edhe lista e nënshkrimeve, përmes së cilave do të mundësohej thirrja e kësaj seance dhe marrja e përgjegjësisë nga ky institucion për procesin e dialogut.

Sot, më 18 gusht – Asnjë nënshkrim nga LDK dhe VV!

PSD ka propozuar një rezolutë e cila do të kornizonte platformën e bisedimeve të ardhshme, ekipin negociator dhe udheheqësin e këtij ekipi, si dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të këtij procesi nga opozita parlamentare. Të gjitha këto do duhej të miratoheshin nga 2/3 e deputetëve.

Jemi të hapur për propozime të tjera, meqë jemi të bindur se dialogu është dhe duhet të jetë mbi gjithash çështje e Kuvendit, jo Presidentit.

Në vend të angazhimit drejt bashkimit opozitar, në kushtet ku do t’i kishim 58 deputetë kundrejt pushtetit të pakicës; LDK dhe VV po vazhdojnë të angazhohen drejt përpjekjes së krijimit të përshtypjes se kinse PSD nuk paska gatishmëri për rrëzimin e qeverisë.

Me 26 korrik, PSD i ka dhënë 12 nënshkrimet e deputetëve të saj për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

 

Sot, më 18 gusht – Asnjë nënshkrim nga LDK dhe VV!

Pra, nuk janë as për orientim dhe mbikëqyrje të dialogut, as për rrëzim të qeverisë./Lajmi.net/