Së pari rrëzimi i Qeverisë, pastaj zgjedhjet

Vetëvendosje konsideron se qershori, ashtu si edhe shtatori, janë muaj të përshtatshëm për zgjedhje. Por, puna e parë, sipas saj, është rrëzimi i Qeverisë Thaçi 2. Dardan Molliqaj thotë se LDK e AAK po ia mundësojnë vazhdimin e qeverisjes Hashim Thaçit.

Lajme

24/01/2014 07:16

Lëvizja Vetëvendosje e sheh si domosdoshmëri rrëzimin e Qeverisë së Kosovës me votat e opozitës.

Sipas Vetëvendosjes, së pari duhet të rrëzohet ‘Qeveria Thaçi 2’, e pastaj të shkohet në zgjedhje nacionale.

Sekretari Organizativ i kësaj Lëvizjeje, Dardan Molliqaj, thotë për lajmi.net se për Vetëvendosjen është shumë e rëndësishme që të rrëzohet nga opozita dhe jo nga vetvetja Qeveria aktuale.

“Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme për zgjedhje kurdo që mbahen ato”.

“Si në qershor, po ashtu edhe në shtator, janë kohë të përshtatshme për ne”.

“Vetëm se jemi të bindur që kjo Qeveri duhet të rrëzohet nga opozita dhe jo ajo ta rrëzojë veten”.

Molliqaj thotë se përgjegjësinë më të madhe pse Qeveria Thaçi po vazhdon të qeveris akoma e ka Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Ne që nga viti 2013 kemi paraqitur para opozitës mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Thaçi, i cili nuk është mbështetur asnjëherë nga partitë tjetra opozitare”.

“Përgjegjësinë më të madhe se pse kjo Qeveri po shkon me mandat pothuajse të plotë e ka LDK, sepse ky subjekt në radhë të para ka mundësuar formimin e Qeverisë Thaçi 2, dhe pastaj bashkë më AAK’në deri më sot po ja mundësojnë vazhdimin e qeverisjes Hashim Thaçit”, ka thënë Molliqaj për lajm.net.