Samuel Zhbogar kërkon zgjedhje sipas standardeve evropiane

Nëse ka vullnet, sigurisht se ka edhe një mënyrë. Nëse ka vullnet për zgjedhje të mira, Kosova është në gjendje të ketë zgjedhje të mira me standarde evropiane, shkruan shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe përfaqësues special i BE-së, Samuel Zhbogar në një editorial për media në prag të zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit.

Lajme

05/06/2014 17:29

Ai iu dërgon mesazh të gjithë liderëve të partive, kandidatëve dhe zyrtarëve të qendrave të votimit duke u thënë: “Mos vendosni bllokadë në rrugën tuaj drejt Evropës! Më mirë le të vazhdojmë t\’i heqim bllokadat e së kaluarës në rrugën tuaj përpara!”.

Pasi shpreh besimin se këto zgjedhje do të marrin pjesë edhe serbët, pasi që “koha e frikësimit, refuzimit dhe e bllokadave është e kaluar”.

Samuel Zhbogar në këtë shkrim shprehet i sigurt se Kosova do t’i marrë disa mësime nga kjo fushatë për një reformë të plotë zgjedhore deri në mbajtjen  e zgjedhjeve të ardhshme.

“Ne tashmë e kemi ngritur çështjen e nevojës për një transparencë të plotë në fondet e partive dhe veçanërisht në financimin e fushatës. Këtu fillon të rritet mundësia për korrupsion. Dhe kjo është arsyeja pse duhet të adresohet. Janë aspekte të tjera të shumta të sistemit zgjedhor të cilat duhet të ekzaminohen, duke filluar nga thjeshtësimi i tij”, shkruan Zhbogar.

“Kushdo që fiton në këto zgjedhje dhe me shpresë që formon një qeveri të fortë, do të duhet të ballafaqohet me të njëjtat çështje, probleme dhe sfida, që nga ekonomia e punësimi e deri te sundimi i ligjit dhe vazhdimi i procesit të normalizimit me Serbinë dhe integrimi i serbëve në Kosovë”.

Në fund Zhbogar shkruan se BE do të vazhdojë t\’iu rri përkrah qytetarëve të Kosovës dhe do të mbështesë përpjekjet e qeverisë së re për një Kosovë më të mirë dhe me më shumë prosperitet.

“Detyra e udhëheqësve të vërtetë nuk është vetëm të udhëheqin qytetarët e tyre në të ardhmen – është edhe t’iu mundësohet atyre që ta hedhin votën e tyre të lirë dhe të drejtë dhe të sigurohen se secila votë e tyre ka vlerë dhe duhet të numërohet”.