Samiti humanitar, OKB bën thirrje për ndihmë ndaj emigrantëve

Duke folur nga samiti humanitar që po mbahet në Turqi, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, ka bërë thirrje që shtetet e botës të marrin më shumë përgjegjësi përsipër në lidhje me emigrantët.

Bota

23/05/2016 16:11

Ai theksoi se kjo është një gjë mjaft e rëndësishme dhe se duhet gjetur një zgjidhje afatgjatë. I pranishëm në këtë samit ka qenë edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili në fjalën e tij u shpreh se Shqipëria është e gatshme që të ndihmojë në menaxhimin e krizës, brenda kapaciteteve të saj.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban ki-Moon, gjatë fjalimit hapës të mbajtur në Samitin Botëror Humanitar, ka kërkuar nga liderët e shteteve në mbarë botën që të marrin përsipër më shumë përgjegjësi në lidhje me refugjatët. Ai u shpreh se ndërkombëtarët duhet të gjejnë një zgjidhje në terma afatgjatë për azil-kërkuesit.

Pas tij, fjalën e mori Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Ai u shpreh se Ankaraja zyrtare do të vijojë t’i mbajë dyert e hapura për azil-kërkuesit që largohen nga zonat e konfliktit, qofshin këta siria në, irakianë por edhe nga vende të tjera. Erdogan nënvizoi se është e rëndësishme që të gjithë të tregohen solidarë më qytetarët e pafajshëm që ndodhen në rrezik.

I pranishëm në këtë samit ka qenë edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani. Në fjalën e tij, kreu i Shtetit u shpreh se Shqipëria është e vendosur që të angazhohet në çështjet humanitare.

“Në kuadrin e krizës së refugjatëve, ju siguroj se Shqipëria ka sensibilitetin e duhur dhe është e gatshme të bashkëpunojë me vendet fqinje dhe Bashkimin Evropian, konform kapaciteteve dhe mundësive të saj”.

OKB ka theksuar se ky samit është mjaft i rëndësishëm, pasi sipas kësaj organizate, bota ndodhet në krizën më të madhe humanitare që prej luftës së dytë botërore, në kushtet kur afro 130 milionë persona kanë nevojë për ndihmë emergjente.