Rusia “zhdukë” ukrainasit në Krime

Lider i lëvizjes Sektori i Djathtë është vrarë, ndërkohë që nuk dihet asgjë për fatin e gjashtë oficerëve ukrainas. HRW bën thirrje për ndaljen e torturave ndaj të arrestuarve.

Bota

25/03/2014 13:23

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, ka deklaruar të martën se Aleanca veriatlantike është “shumë e shqetësuar” në lidhje me angazhimin ushtarak të Rusisë në kufi me Ukrainën.

Rasmussen ka thënë se NATO-ja është e gatshme për të mbrojtur të gjithë anëtarët e saj, dhe se po diskutojnë me Kievin për të zgjeruar mbështetjen ndaj Ukrainës ndonëse ky vend nuk është anëtare e aleancës.

Ndëkohë situata në krahinen ukrainase, Krime, të aneksuar nga Rusia, vetëm sa vjen e përkeqësohet.

Deputeti ukrainas, Oleksandr Doniy, ka shkruar në Facebook se atij i është thënë se lider i lëvizjes Sektori i Djathtë, Alexander Muzychko është rrëmbyer nga persona të armatosur, dhe se pastaj është hedhur nga një automjet me duar të lidhura dhe me plagë në gjoks.

Këtë muaj, kundër Muzychkos është lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar. Ai kërkohej në Rusi për gjoja torturimin dhe vrasjen e rreth 20 ushtarëve rusë, gjatë luftës me separatistët çeçen, më 1994 dhe 1995.

Po ashtu, ende nuk dihet asgjë për fatin e gjashtë oficerëve të ushtrisë Ukrainase, që nga marrja e bazave ushtarake në Krime nga ana e forcave ruse.

Komandanti i bazës ajrore ukrainase në Krime, kolonel Yuliy Mumchur, u kap të shtunën nga forcat ruse kur këto të fundit sulmuan bazën ajrore në Belbek.

Gruaja e Mumchur, Larisa, tha të martën se ajo nuk ka pasur asnjë komunikim me bashkëshortin e saj, porse beson që bashkëshori i saj është arrestuar.

Të hënën forcat ruse sulmuan edhe bazën ukrainase më Feodosia, ndërsa kapën komandantin e një batalioni detar Dmytro Delyatytskyy dhe ndihmësin e tij Rostislav Lomtev.

Vëzhguesit e Human Rights Watch me seli në New York, ndërkohë kanë njoftuar se tre oficerë të tjerë ukrainas dhe aktivistë, mbeten ende të zhdukur në Krime.

Po ashtu, dy aktivistët politik të Ukrainës, Andriy Achekun dhe Antolij Kovalsky, sipas Organizatës Human Rights Watch, ishin arrestuar, marrë në pyetje dhe ishin rrahur gjatë njëmbëdhjetë ditëve para se të lirohen.

HRW njofton se Achekun ishte torturuar me shok elektrik, ishte lidhur dhe shpesh ishte mbajtur lakuriq.

Drejtori i HRW për Evropë dhe Azinë Qendrore, Hugh Williamson, ka kërkuar që të hetohen urgjentisht këto paraburgime të tmerrshme dhe arbitrare.