Rusia heq dorë nga gazsjellësi “Rrjedha jugore”

Rusia do të ndërtojë gazsjellësin e quajtur “Rrjedha jugore” vetëm nëse për të është e interesuar Evropa, në mënyrë që ulë riskun që bart me vete tranziti i gazit nëpër Ukrainë, deklaroi të mërkurën ministri rus i Zhvillimit Ekonomik, Aleksej Ulokajev.

Lajme

26/11/2014 20:43

Nëse nuk do të ketë kërkesë, nuk do ta ndërtojmë, deklaroi ministri rus për gazetën ekonomike Vedomosti.       

“Por, në këtë rast, riskun e shkeljes së garancive të liferimit të gazit duhet ta marrë mbi vete ai që e ka refuzuar këtë gazsjellës alternativ”, shtoi Ulokajev.

Sipas gazetës ruse, edhe ekspertët pajtohen me këtë konstatim të ministrit, pasi që për Rusinë tash është prioritet krahu lindor, përkatësisht Kina, dhe se në kushtet e krizës ka logjikë që të hiqet dorë nga “Rrjedha jugore”, si infrastrukturë e tepërt.

“Rrjedha jugore” është planifikuar si gazsjellës alternativ ndaj gazsjellësit aktual që kalon nëpër Ukrainë, kurse shtegu nëpër të cilin është paraparë të kalonte ai kanë qenë edhe Bullgaria e Serbia, si dhe më tutje, Kroacia, Hungaria dhe shtetet tjera të BE-së.