Rritet numri i turistëve në Kosovë

Republika e Kosovës me bukuritë e saj natyrore, por edhe me objektet e lashta të trashëgimisë kulturore, për çdo ditë po shndërrohet në një vend turistik, duke tërhequr edhe vizitorë të huaj. 

Lajme

11/09/2014 18:23

Sipas disa statistikave aproksimative, sivjet ka pasur dukshëm më shumë turistë sesa vitin e kaluar. Ndonëse autoritet e Kosovës ende nuk kanë një institucion që regjistron saktë numrin e turistëve dhe preferencat e tyre, udhëheqës të shoqatës së turizmit thonë se sivjet ka pasur më shumë turistë se në vitin 2013.

Vendet më të frekuentuara kanë qenë Prishtina, Prizreni, Alpet Shqiptare, rajoni turistik i Sharrit, Mitrovica e Shala e Bajgorës dhe Anamorava. Këto zona janë frekuentuar kryesisht nga turistët kosovarë, por edhe nga ata të huaj.  

Por, pavarësisht të gjitha këtyre resurseve të mjaftueshme turistike, ky potencial ende nuk ka arritur të promovohet, vlerëson Zekë Çeku nga Shoqata e Turizmit në Kosovë.

Ai për Radio Evropa e Lirë thekson se turistët u ballafaquan me mungesë të informacioneve të vendeve turistike të vendit tonë.

“Informimi është i mangët, nuk funksionojnë institucionet qendrore që janë përgjegjës për këtë punë, nuk punohet në informimin e mysafirëve, nuk punohet në marketing, nuk përfshihen ekspertët e fushës. Organizmi i brendshëm nuk është në nivel”, konsideron ai.

Në disa komuna, siç thotë ai, janë krijuar zyra turistike si në Pejë e Prizren, mirëpo nuk ka komunikim, koordinim mes aktorëve, siç janë institucionet lokale me hotele, restorantet, shoqata. Ai thotë se pikërisht për këto arsye shumë vende turistike kanë probleme me infrastrukturë.

Sipas tij, nëse në Kosovë llogaritet të jenë ndërtuar mbi 300 hotele, shumica e tyre janë ndërtuar në vende që nuk konsiderohen atraktive për vizitorët dhe nuk janë vende turistike.

Hysen Sogojeva është shef i Departamentit të Turizmit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Ai thotë se në Kosovë janë duke u parë elemente të zhvillimit të turizmit.

“Ne si ministri jemi duke punuar që në çdo komunë së paku të ketë një përfaqësues që do të merret drejtpërdrejt me turizëm, që pastaj ai zyrtar të kontaktojë me shoqatat e ndryshme vendore, rajonale dhe ndërkombëtare që të krijojë një urë lidhëse mes akterëve të shërbimeve për turistët dhe të japin rezultate në këtë fushë”, deklaroi ai.

Kosova është dëshmuar si një vend me bukuri të rralla natyrore, prandaj në kohë të fundit i është dhënë hapësirë zhvillimi kryesisht të turizmit malor. Një projekt me titullin “Majat e Ballkanit”, që është realizuar nga Komuna e Pejës, është shpallur destinacioni më i bukur turistik në botë nga Organizata Botërore e Turizmit.