Rritet numri i protestuesve para Rektoratit

Studentët kanë rinisur protestat para Rektoratit të UP, duke pamundësuar kështu hyrjen brenda tij të Rektorit dhe personelit tjetër. Karshi tyre janë vendosur edhe një numër i Policëve të Kosovës, të cilët kanë bllokuar edhe dyert e oborrit.

Lajme

29/01/2014 08:45

Kanë rinisur me mëngjes protestat para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Studentët protestues janë ulur në shkallët e Rektoratit dhe nuk po lejojnë asnjë personal të këtij institucioni të futet brenda.

Përballë tyre janë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, që të cilët, po ashtu, po qëndrojnë brenda oborrit të Rektoratit.

Gazetari i lajmi.net, Drilon Asllani, njofton se ka një prezencë të madhe policore edhe jashtë oborrit të Rektoratit, ku gjithashtu janë edhe disa studentë të tjerë të cilët nuk po lejohet të futen brenda oborrit për t’i bashkuar kolegëve të tyre.

Protestuesit janë të vendosur për të vazhduar protestën deri në realizimin e kërkesave të tyre, ndërsa mbajnë në duar pankarta me mbishkrimin “Ibrahim Hup”, “Qençe nuk studiohet më” “ UP- UPrisht” etj.

Një nga organizatorët e kësaj proteste, Valon Marku, tha për lajmi.net se deri tash askush nuk ka mundur të futet brenda Rektoratit.

“Deri tash nuk ka arritur askush të futet në Rektorat. Ne kemi arritur ta paralizojmë punën e Rektoratit”.

“Jemi të vendosur për të realizuar kërkesat tona”.

“Kërkesa e parë është dorëheqja e Rektorit Ibrahim Gashi, kërkesa e dytë heqja e titujve akademik dhe kërkesa e tretë largimi i Këshillit Drejtues”.

Aktualisht nuk ka ndonjë përpjekje të Policisë për t’i larguar studentët nga hyrja e Rektoratit për të mundësuar punën në këtë institucion.

Protestuesit thirrje Policisë: Mos na sulmoni

Lëvizja Studentore për Barazi, Studim,  Kritikë dhe Veprim i kanë bërë thirrje Policisë së Kosovës që mos t’i sulmojnë protestuesit.

“Edhe sot, në hapësirën kampusit të Universitetit të Prishtinës, Policia e Kosovës është e pranishme me njësitet e saj. Kësaj radhe, aty gjendet edhe vetë Komandanti Rajonal i Prishtinës, Rexhep Sijarina, i pa uniformuar”, thuhet në një komunikatë lëshuar nga Këshilli Organizativ .

“Siç duket, ai nuk është mjaftuar me brutalitetin e djeshëm, ndaj ka ardhur personalisht për ta udhëhequr operacionin e shtypjes se studentëve”.

“Ne, ia kujtojmë edhe një herë atij se detyra e tij është të zbatoj ligjin, dhe jo t’i ndjek verbërisht urdhrat e pushtetit. E për të zbatuar ligjin ai duhet t’i largojë policët nga Universiteti”.

“Studentët nuk përbëjnë kurrfarë kërcënimi për sigurinë. Përkundrazi, kërcënim për sigurinë dhe për shoqërinë, janë ata që e kanë shndërruar Universitetin e Prishtinës në çerdhe krimi e korrupsioni”.

“Neni 13, pika 4 e Ligjit për Arsimin e Lartë: Mjediset e bartësve të licencuar të arsimit të lartë gëzojnë paprekshmërinë nga organet e rendit publik, përveç rasteve të përcaktuara ndryshe me ligje të veçanta.”

Studentët duke protestuar sot para Rektoratit: Foto: Bujar Tërstena

Policia: Po bëjmë monitorimin e rrjedhës së protestës

Policia e Kosovës, përmes një komunikate, ka thënë se po protesta e sotme e studentëve është e paparalajmëruar, por e qetë.

“Sot në rrugën “Gjorgj Bush”, në Prishtinë që nga ora 08:00 e mëngjesit, ka filluar të mbahet një protestë e paparalajmëruar. Në protestë po marrin pjesë një grup studentësh, rreth 30 persona, të cilët kanë bllokuar hyrjen e ndërtesës së Rektoratit të Universitetit të Prishtinës”.

“Policia është prezentë në lokacionin e sipërshënuar dhe po bënë monitorimin e rrjedhës së protestës. Deri në këto momente nuk është raportuar për ndonjë incident”.

“Vlen të theksohet se trafiku në rrugën “Gjorgj Bush” në Prishtinë, po zhvillohet normalisht”.