Rriten kërkesat për lirim nga varshmëria e drogave

Numri i personave që duan të detoksikohen si rezultat i përdorimit të drogave ka shënuar rritje në Klinikën e Psikiarisë në QKUK. Kjo konfirmohet për rtklive.com nga zyrtarë të kësaj klinike.

Lajme

09/06/2017 16:20

 

Gjatë tërë vitit 2016, 96 pacientë kanë kërkuar që të detoksikohen, për t’u liruar nga varshmëria ndaj drogave. Por, për gjashtë muajt e parë të këtij viti, numri i rasteve që duan të braktisin drogat përmes trajtimit në Klinikën e Psikiatrisë ka shënuar rritje.

Samire Gashi – Braina, shefe e repartit të sëmundjeve të vartësisë në Klinikën e Psikiatrisë ka thënë se për dallim nga gjashtë muajt e parë të vitit 2016 kur ishin gjithsej 38 pacientë që kërkonin lirim nga varshmëria e drogave, këtë vit tashmë janë paraqitur 50 pacientë, për vetëm 5 muajtë e parë të vitit.

“Vitin e kaluar i kemi pasur 96 pacientë, prej tyre 14 femra. Ndërkaq nën moshën 18 vjeçare kemi pasur 8 pacientë. Këtë vit deri më sot (9 qershor) i kemi 50 pacientë”, ka thënë Gashi – Braina për rtklive.com.

“Në repartin tonë bëhet detoksikimi, që nënkupton marrjen e tretjeve infuzive dhe vitaminave përkatese, si dhe terapinë tjetër simptomatike për menaxhim të krizave abstinenciale”, ka thënë Gashi-Braina.

Doktoresha ka thënë se trajtimi bëhet sipas protokoleve mjekësore të cilat janë të njejta në gjitha spitalet. Sipas saj, trajtimi zgjatë 10 ditë, që ndryshe njihen si ditë protokolare.

Ajo ka thënë se gjatë trajtimit të këtyre pacientëve, në raste tek ta paraqiten edhe probleme tjera, qofshin ato shqetësime, dhembje muskujsh etj.

Grupi i karabioideve ku hyn marihuana, sipas doktoreshës Gashi-Braina nuk manifestohet me kriza gjatë trajtimit për dallim nga substancat opioide e që janë më potente në tretman. Në grupin e dytë, siaps saj, hyn edhe heroina. “Tek këto raste jepet edhe terapi kundër dhembjes, trodon për qetësim etj”, ka thënë doktoresha Gashi-Braina.

Ajo ka thënë se motivi për të kërkuar detoksikimin vie nga vet personat që duan të largohen nga rruga e drogës. “Ky është edhe kriteri kryesor për t’iu nënshtruar mjekimit – dëshira e vet personit”, tha ajo.

Ajo ka thënë se me këta pacientë bisedohet dhe njoftohen me gjithë procedurën. “Njihen me rendin spitalor dhe trajtimi bëhet së bashku me përcjellje të familjarëve”, ka thënë ajo.

Doktoresha Gashi – Braina ka thënë se ka edhe shumë raste që pas përfundimit të procedurave të detoksikimit, pacientët iu rikthehen drogave.

Shqetësues, sipas doktoreshës është mosha e re e përdoruesve të drogave. “Ka edhe raste që na vijnë të shoqëruar nga policia, sidomos të tilla me over dozë (dozë të tepruar)”, ka thënë ajo.