Rreziku nga terrorizmi, Bujar Ramaj: Më kërcënuese ndërhyrja e huaj

Gjatë Pashkëve të gjitha objektet e krishtera të kultit u morën në mbrojtje nga policia. Ambasada Amerikane në Tiranë dhe ajo në Prishtinë kishin njoftuar shtetasit e tyre për rritjen e vigjilencës për shkak të kërcënimeve terroriste.

Lajme

20/04/2017 21:02

Ministria e Brendshme lajmëroi se situatat e konfliktit politik në një vend si Shqipëria, edhe në kontekstin e zhvillimeve rajonale mund të shfrytëzohet lehtësisht nga elementë të caktuar për të kryer akte kriminale, destabiliteti dhe terroriste.

Për ish-nëndrejtorin e shërbimit sekret shqiptar, Bujar Ramaj, aktualisht studiues për terrorizmin, rreziku është evident.

“Terrorizmi është veprim kriminal, nuk ka lidhje… Sigurisht mund të ketë një sfond ideologjik ose politik, ose një tendencë për marrje apo rrëzim pushtetesh. Mendoj se ata që mund të kenë më shumë interes për destabilizimin e vendit janë sfondet kriminale që gjithmonë përfitojnë në kohë kaosi dhe sponsorizojnë për të ardhur në politikë, meqë jemi edhe në fushatë”, thotë Ramaj për tch.

Shërbimet inteligjente, sipas Ramajt, duhet të jenë vigjilente dhe të mos neglizhojnë asjë shenjë që vjen edhe përtej kufijve të Shqipërisë.

“Më kërcënuese mund të jenë shtete që duan destabilizim në Ballkan, sidomos në Shqipëri. Shërbimet sekrete duhet t’i shohin ato me shumë vëmendje pasi kemi shenja që në shtetet fqinje kanë ndodhur ngjarje kërcënuese ndaj drejtuesve të atyre vendeve”, nënvizon Ramaj.

Si asnjëherë tjetër më parë, gjatë Pashkëve mbi 5 mijë efektivë u angazhuan për mbarëvajtjen e festimeve, pas sinjaleve edhe nga shërbimet inteligjente të huaja për rrezik nga sulmet terroriste.