Riza Halimi i reagon pronarit të “SOLDI”-it të Suharekës, Ahmeti Kuçit

Kryetari i  Partisë Veprimi Demokratik, Riza Halimi, ka reaguar pas akuzave të bërë nga pronari i kompanisë “SOLID” të Suharekës, Ahmet Kuçi.

Lajme

15/12/2017 15:43

Reagimi i plotë:

Në RTK live këto ditë u paraqitën akuza tendencioze në llogari time nga ana e pronarit të kompanisë “SOLID” të Suharekës, Ahmet Kuçi.

Së pari është shumë indikativ interesimi i posaçëm i pronarit të kësaj kompanie për fushatën parazgjedhore në Preshevë dhe involvim krejtësisht i panevojshëm dhe i pashembullt i një biznesmeni nga Kosova në rrjedhat politike të Luginës së Preshevës, që janë ndërlikuar tejmase për shkak të ndërhyrjeve të vrazhda të kreut shtetërorë të Serbisë.

Është e sakt se unë kam reaguar publikisht ndaj deklaratës së Shefket Kuçit bashkëpronar i “SOLID”-it të paraqitur në konferencën për gazetar të organizuar nga shefi i kabinetit të kryetarit të atëhershëm të komunës Shqiprim Arifi edhe atë një dit para shkarkimit të tij nga Kuvendi komunal i Preshevës. Me këtë rast bashkëpronari i “SOLID”-it kishte deklaruar se kjo kompani ka vendosur t’i ndërprej përgaditjet për riaktivizimin e prodhimit në objektin e ish “ÇIK”-ut të Kumanovës për shkak të shkarkimit të Shqiprim Arifit nga funksioni i kryetarit të komunës. Është shumë e qartë se porosia themelore që i drejtohej qytetarëve të Preshevës ishte se me këtë vendim të Kuvendit të Preshevës ata do të mbeten pa 200 vende pune! Ishte pra ky presion i drejtpërdrejtë ndaj kuvendarëve të Preshevës.

Megjithatë disa ditë më vonë në organizim të organeve shtetërore të Serbisë në hapësirat e repartit të ish “ÇIK”-ut u mbajt ceremonia e pranim – dorëzimit të objektit, ku pos pronarit të “SOLID”-it dhe drejtorit të Agjensionit për ndërmarrjet e falimentuara merrte pjesë edhe kryetari i APN-së, Shqiprim Arifi, që tanimë ishte ish kryetar komune! Ishte krejtësisht e papranueshme që në pranim – dorëzimin e objektit nuk ishte ftuar kryetarja e komunës Ardita Sinani, apo ndonjë përfaqësues tjetër i pushtetit lokal.

Është e sakt se në njërin nga takimet që më vonë i ka pasur kryetarja e komunës Ardita Sinani me pronarin e “SOLID”it kam marrë pjesë edhe unë, edhe me atë rast është konstatuar se aktivitetet e kompanisë “SOLID” në Preshevë sikur edhe cilido subjekt tjetër ekonomik duhet të zhvillohet vetëm në bazë të ligjshmërisë dhe interesave ekonomike. Kryetarja Ardita Sinani në këtë bisedë premtoi se do t’i drejtohet Ministrisë së ekonomisë me kërkesë që “SOLID” të lirohet nga obligimi i pagesës së qirasë, obligim që paraprakisht e kishte marrë në emër të komunës ish kryetari i saj Shqiprim Arifi. Ajo jo vetëm që e dërgoi këtë kërkesë në Ministri, por e potencoi këtë temë në bisedën me kryetarin e Republikës së Serbisë me ç’rast kërkoi që për investimin e kompanisë “SOLID” të sigurohen subvencione qeveritare njësoj si në rastin e investimeve të kompanive të Turqisë në Vlladiçin Han dhe disa komuna tjera të Serbisë.

Tanimë opinioni është i njoftuar me fondet e zeza që bllokuan Kuvendin e Preshevës dhe emërimin antikushtetues dhe joligjor të Organit të përkohshëm nga ana e Qeverisë serbe si dhe ndërhyrjet e drejtpërdrejta të kreut shtetërorë të Serbisë në autonominë e pushtetit lokal në Preshevë dhe akuzat që iu bënë në adresë të udhëheqjeve në Shqipëri e Kosovë, për kinse ndikimin në shkarkimin e “njeriut të tyre të mirë” nga funksioni i kryetarit të komunës së Preshevës.

Andaj akuzat e paargumentuara të pronarit të “SOLID”-it që po kombinohen me paralajmërimin se do të hapet fabrika e “SOLID”-it 10 ditë para zgjedhjeve edhe atë sepse e paska thirr Shqiprim Arifi nuk mund të kuptohen ndryshe vetëm se si involvim i drejtpërdrejtë i kompanisë “SOLID” në fushatën parazgjedhore të APN-së të përkrahur nga SNS-i dhe strukturat shtetërore të Serbisë. Përndryshe është krejtësisht e pakuptueshme që hapja e fabrikës së paralajmëruar me 200 punëtorë të vonohet mbi 9 muaj vetëm për shkak të borxhit prej 16.000 Euro!

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik

Riza HALIMI