Rexhepi: Kosova shfrytëzohet për trafikim droge

Ministri Bajram Rexhepi thotë se në Kosovë ka rrugë për trafikim të drogës. Sipas tij, Kosova është vetëm njëri nga vendet e rajonit që shfrytëzohet trafikimin. Thotë se edhe vendet e tjera janë pjesë e kësaj trafikimi të narkotikëve.

Lajme

28/03/2014 17:18

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka pranuar se përmes Kosovës kalojnë disa rrugë ballkanike për trafikimin e drogës, kryesisht të marihuanës dhe heroinës.

Rexhepi në një intervistë për të përditshmen e Podgoricës, Dnevne Novine, ka thënë se nuk është vetëm Kosova vend përmes të cilës kalojnë këto lloj narkotikësh.

“Njëra nga rrugët kalon në Kosovë, por se e njëjta kalon edhe përmes shteteve tjera, Kur është fjala për heroinë, është e vërtetë se rruga përmes të cilës trafikohet kjo lloj droge kalon edhe nëpër Kosovë, saktësisht kalon nga Avganistani, Irani, Turqia, Bullgaria, Greqia, Serbia, Maqedonia, Kosova dhe vazhdon tutje”.

“Bëhet fjalë për sasi te vogla dhe nuk mund të themi se flitet për një rrugë të madhe. Më së shumti transportohet marihuana saktësisht kanabisi, pastaj heroina”.

Ai thotë se nuk është dijeni për një grup të organizuar kriminal që merren me trafikimin e drogës, por janë qytetar nga Kosova dhe Mali i Zi.