Rexhep Hoti jep detaje për “Programin Nacional për Rininë”: Projekti më i rëndësishëm i jetës sime

Koordinatori Nacional për Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, në detaje ka treguar “Programin Nacional për Rininë”.

Lajme

13/11/2018 22:22

Hoti e cilësoi këtë si projektin më të rëndësishëm të jetës së tij.

“Kam kënaqësi të jashtëzakonshme që pas projekteve të shumta në qeveri kam një projekt në dorë që ka të bëjë me nxënësit dhe studentët”.

“Është program që në vete ka dy parime bazë; gjithpërfshirjen dhe vijueshmërinë. Bëhet për të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës pa përjashtim. Është projekt me plot surpriza, ka gjëra të bukura brenda vetes. Është projekt që realisht rininë, arsimin, kulturën dhe kreativitetin do ta sjellë në vetvete. Do të këtë një garë dhe konkurrence të mirëfilltë në vete”.

Hoti ka shpjeguar se “Programi Nacional për Rininë” ngërthen në vete garat në nivelin shkollor, komunal dhe atë republikan.

“Ky projekt përfshinë të gjithë nxënësit dhe studentët e Republikës së Kosovës, fillon nga klasët e para deri në nivelin universitar ku përfshihet kreativiteti, mendimi kritik, sporti e dituria”.

“I gjithë sistemi është i bazuar në politikat e kurrikulës. Programi nuk hyn në politika të kurrikules por realisht bën pjesën praktike të saj”.

Hoti ka veçuar klasët e para dhe të dyta, për të cilat tha se duhet të ketë kujdes të shtuar përderisa ka treguar se në projektin në fjalë janë paraparë edhe udhëzuesit se si do të vlerësohen punimet e nxënësve dhe studentëve.

Tutje ai ka thënë se ky projekt ka dy lëndë kryesore që janë Gjuha Amtare dhe Matematika, përderisa për nxënësit e shkollës se mesme të larte dy komponentat më të rëndësishme janë esetë hulumtuese dhe debati.

Sa i përket sportit, në kuadër të këtij programi janë paraparë garat në futboll, volejboll, atletikë dhe shah, ndërsa për arsimin e lartë është paraparë edhe basketbolli.

Rexhep Hoti është shprehur mjaft i kënaqur me projektin dhe optimist për implementimin e tij.

“Besoj fuqishëm në realizimin e këtij projekti. Besoj në punën e kryetarëve të komunave, drejtorëve të arsimit nëpër të gjitha komunat dhe Këshillat e drejtorëve. Ndërsa nëpër shtatë zona kemi paraparë shtatë nën-koordinator. Ky është projekti më i madh i jetës sime”.