Reshitaj nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me UN- Habitat-in

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj sot ka nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi për realizimin e “Programi për Zhvillim Gjithëpërfshirës”, që zbatohet nga UN-Habitat-i, PAX/CBM dhe e financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunimi dhe Zhvillim (Sida) me përfaqësuesen e UN-Habitat-it në Kosovë znj. Gwendoline Mennetrier.

Lajme

07/06/2018 16:55

Në ceremoninë  e nënshkrimit të këtij memorandumi ministrja Reshitaj falënderoi UN-Habitat–in për përkrahjen e vazhdueshme që po i jep Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor  në fushën e planifikimit hapësinor, me theks të veçantë në hartimin e hartave zonale të komunave të Kosovës.

“Përmes këtij memorandumi UN-Habitati do të  ndihmojë në  ngritjen e kapaciteteve të ministrisë dhe komunave në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban, hartimin e dokumenteve strategjike” deklaroi ministrja Reshitaj.

Nga ana tjetër përfaqësuesja e UN-Habitat–it në Kosovë znj Mennetrier përshëndeti këtë mundësi për thellimin e bashkëpunimit të sinqertë me Ministrinë, një partner afatgjatë në Kosovë, sidomos në mbështetje të komunave të veriut dhe qytetarëve. Programi është në partneritet me MMPH-në dhe MAPL-në dhe ofrojnë udhëzime për komunat në vendosjen e strukturave të planifikimit dhe zhvillimin e produkteve dhe proceseve të planifikimit, forcimin e angazhimit demokratik të qytetarëve në vendimmarrje dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarë nëpërmjet bashkëpunimit ndër-komunal.

Në fund ministrja Reshitaj u shpreh e bindur që ky bashkëpunim do të sjellë rezultate pozitive në krijimin e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës në vendin tonë./Lajmi.net/