Refuzohet lirimi i Lushtakut

Gjykata e Apelit refuzon kërkesën e lirimit të \"Grupit të Drenicës\". Kjo e bën më të vështirë mundësinë që Sami Lushtaku të paraqitet me kohë në Asamblenë Komunale të Skënderajt për ta bërë betimin si Kryetar i Komunës.

Lajme

04/12/2013 16:00

Gjykata e Apelit, në një trup gjykues të përbërë prej gjykatësve vendës dhe ndërkombëtarë, i ka refuzuar të shtatë ankesat e paraqitura nga avokatët mbrojtës kundër vendimit për vazhdimin e paraburgimit dhe kërkesat për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për personat e pandehur për një rast të krimeve të luftës.

Fjala është për të akuzuarit e të ashtuquajturit “Grupi i Drenicës”, në të cilin bëjnë pjesë edhe Ambasadori i Kosovës në Shqipëri Sylejman Selimi, dhe Kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku.

“Gjykata i ka refuzuar ankesat si të pabaza dhe e ka konfirmuar vendimin e gjykatësit kryesues nga Gjykata Themelore në Mitrovicë të datës 22 nëntor 2013 për vazhdimin e paraburgimit”, ka thënë EULEX në një komunikatë.

Vendimi i Gjykatës së Apelit e bën edhe më të vështirë mundësinë që Sami Lushtaku të paraqitet me kohë në Asamblenë Komunale të Skënderajt për ta bërë betimin si Kryetar i Komunës, i zgjedhur në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Tomë Gashi, avokat i Sylejman Selimit, ka konfirmuar këtë vendim.

“Është vendim që po përsëritet më tepër se gjashtë muaj dhe gjithmonë vendimet e Gjykatës së Apelit janë të njëjtat sikur ato të 31 majit të këtij viti kur masa e arrestit shtëpiak është zëvendësuar me masën e paraburgimit”, ka thënë avokati Gashi për lajmi.net.

“Unë si avokat i Sylejman Selimit kam deklaruar shumë herë se mbajtja e Sylejman Selimit si ish komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, por besoj edhe të tjerëve, se kinse ekziston rreziku i ikjes së tij për të mos u përballur me një gjykim tëardhshëm sipas aktakuzës së EULEX për kinse vepër penale të krimeve të luftës, është joligjore, jo e drejtë dhe fyese”.

“Ne rastin do ta dërgojmë edhe në Gjykatë Supreme dhe në seancën e parë fillestare për këtë çështje më 6 dhjetor në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të kërkojmë lirimin e Sylejman Selimit dhe të tjerëve nga paraburgimi”.

Një kërkesë për lirimin e përkohshëm të Sami Lushtakut nga paraburgimi, vetëm për ta bërë betimin si Kryetar i Komunës, e ka bërë edhe Dega e PDK’së në Skënderaj.