Refuzohen mbi një mijë fletëvotime të serbëve

Në mesin e 1.418 fletëvotimeve të refuzuara nga diaspora, 1.350 prej tyre janë të serbëve. 

Lajme

12/06/2014 16:19

Nga 5 mijë e 453 pako me fletëvotime të votuesve jashtë vendit sa janë proceduar deri të mërkurën në mëngjes, 1 mijë e 418 prej tyre janë refuzuar. Kështu figuron tek divizioni i shërbimit të votuesve të Departamentit të operacioneve zgjedhore.

KosovaPress mëson se nga të refuzuarat vetëm 70 janë të shqiptarëve, tjerat janë të serbëve.

Ndryshe, deri më tani thuhet se gjithsej janë pranuar 14 mijë pako, pra 9 mijë të tjera pritet të procedohen.

Nga 5 mijë e 453 pako me fletëvotime të proceduara dhe vlerësuara, janë aprovuar 4 mijë e 35, e të refuzuara janë 1 mijë e 418.

Nga të refuzuarat, 881 Pako me Fletëvotime i përkasin votuesve që në Periudhën e Regjistrimit kanë aplikuar suksesshëm për tu përfshirë në Listën e Votuesve jashtë Kosovës, por që në Periudhën e Votimit nuk kanë dërguar kopje të dokumentit valid të identifikimit (ashtu siç e përcakton Rregulla Zgjedhore Nr. 03/ 2013 Votimi jashtë Kosovës, neni 4.2). Ndërsa, pjesa tjetër e të refuzuarave, pakot e tyre me fletëvotime janë refuzuar për

• Votuesit nuk kanë dëshmuar kriteret juridike për tu përfshirë në Listën e Votuesve jashtë Kosovës gjatë Periudhës së Regjistrimit, dhe

• Votuesit nuk kanë aplikuar fare për tu regjistruar si Votues jashtë Kosovës gjatë Periudhës së Regjistrimit.

Ndryshe në dokumentin që ka KosovaPress thuhet se Divizioni i Shërbimit të Votuesve është duke punuar në dy ndërrime, ku gjatë gjithë kohës, procesi i verifikimit është duke u vëzhguar nga vëzhguesit ndërkombëtar. (KosovaPress)