Reforma Zgjedhore t’i prekë edhe mërgimtarët

Faton Topalli i Vetëvendosjes ka kërkuar që mërgimtarët shqiptarë të jenë pjesë e proceseve politike. Thotë se më së paku i është kushtuar vëmendje mërgimtarëve në diskutim për Reformën Zgjedhore.

Lajme

13/02/2014 13:11

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, është shprehur i pakënaqur me mospërfshirjen e në diskutim për Reformën Zgjedhore të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit.

Ai ka kërkuar që mërgimtarët shqiptarë të jenë pjesë e proceseve politike, sepse përbëjnë 30 deri në 40% të popullsisë që jetojnë jashtë vendit.

“Më vjen keq që në diskutimin për Reformën Zgjedhore të zhvilluar për më shumë se dy vite me radhë, më së paku i është kushtuar rëndësi pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës jashtë vendit, në procesin zgjedhor dhe përfaqësimin e tyre në Parlamentin e Kosovës”.

“Kur flasim për  mërgatën, nuk po flasim për arbëreshët e Italisë as për shqiptarët e Turqisë siç i trajton ata Qeveria aktuale e Kosovës, por po flasim për qytetarët e Kosovës të dëbuar  me dhunë politike apo ekonomike. Po flasim për qytetarët e vendit tonë me dokumente të identitetit me pasaporta të Kosovës”.

“Qytetarët jashtë vendit janë faktor i rëndësishëm ekonomik për vendin tonë. Asnjë sigurim shoqëror i shtetit të Kosovës nuk kontribuon më shumë, sesa mërgata shqiptare për ruajtjen e paqes sociale në vend”.

“Të rezervosh 20 vende për 5 % të popullsisë dhe të mos mundësosh që 30 deri në 40% të qytetarëve të kenë përfaqësim politik, nuk është vetëm një miopi politike, injorancë e bukë përmbysje, por edhe shkelje themelore e të drejtave të njeriut”.

“Ne kërkojmë të thjeshtëzohet procedura e pjesëmarrjes në votim  për të siguruar mundësinë mundësin për një pjesëmarrje sa më të gjerë të mërgimtarëve shqiptarë”.

“Kërkojmë që mërgimtarët shqiptar të marrin pjesë në proceset politike në Kosovë, sepse ata përbëjnë 30 deri 40% të popullsisë që jetojnë jashtë vendit tonë dhe është shkelje demokratike që të përjashtosh këtë numër të qytetarëve nga procesi i vendimmarrjes”, ka thënë Faton Topalli.