Reforma në drejtësi: Ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në zyrat e partive

Reforma në drejtësi ka hyrë në një fazë vendimtare, ku partitë duhet të shprehen nëse janë gati të mbështesin një draft përfundimtar me ndryshimet kushtetuese.

Lajme

03/05/2016 15:45

Këtë gatishmeri po e teston ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadorja e Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin, të cilët këtë javë kanë nisur një tur të ri takimesh me disa prej drejtuesve politikë.

Në mëngjes, ambasadorët u takuan me kryetarin e komisionit të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj dhe më vonë ambasadori Lu është takuar me ish-kryeministrin Berisha.

Takimi ka zgjatur rreth një orë, por palët e përfshira në bisedime ende nuk kanë bërë publik asnjë qëndrim. Qëndrimi i opozitës mund të bëhet i njohur gjatë pasdites nga kryetari i PD, Lulzim Basha.

Ai pritet të ketë një takim me ambsadorin amerikan. Takim ky që vjen pasi opozita, në një material të gjatë që u ka dërguar ekspertëve nuk bie dakord me mënyrën sesi zgjidhen, emërohen dhe funksionojnë disa institucione të reja të drejtësisë.