Reforma në arsimin e lartë, me shumë autonomi akademike dhe financiare?

Kosova së shpejti do të ketë një rregullativë ligjore, që pritet të sigurojë standarde të cilësisë në arsimin e lartë, të definimit të autonomisë akademike dhe financiare të universiteteve, të bazuar në një proces të plotë të decentralizimit dhe bartje të vendimmarrjes tek njësitë më të vogla akademike.

Lajme

19/05/2015 18:21

Kështu u tha në debatin e nisur sot në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, rreth Projektligjit për arsim të lartë dhe Projektligjit për profesionet e rregulluara, ku u konkludua se reformat në arsimin e lartë janë procese të rëndësishme në demokratizimin e mbarë shoqërisë, raporton Kosovapress.

Nga ky debat i parë rreth reformave në arsimin e lartë janë nxjerrë në parim informatat e para rreth përmbajtjes së projektligjeve që janë përpunuar nga një grup profesorësh universitarë dhe ekspertë të tjerë të fushës së arsimit. Gjithashtu janë propozuar ndryshimet që duhet të bëhen në projektligjet, e që kanë për qëllim ngritjen e standardeve dhe kritereve për një arsim sa më cilësor.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami u shpreh i kënaqur që debati po hapet në Universitetin e Prishtinës dhe tha se ai në javët e ardhshme do të zhvillohet në të gjitha njësitë akademike të këtij institucioni dhe institucionet tjera të arsimit të lartë, në shoqërinë civile, me mediat dhe akterë të tjerë.

“Jam shumë i kënaqur që ky debat po hapet në Universitetin e Prishtinës dhe sot është një mundësi e mirë që ne të prezantojmë para organeve kryesore të Universiteti të Prishtinës qëllimet e kësaj reforme sepse Universiteti i Prishtinës është bartës kryesor i kësaj reforme. Ne për një muaj të tërë do të zbresim tek njësitë tjera akademike, fakultete , departamente, studentët dhe dëshirojmë të kemi një debat akademik, civilizues për qëllimet që ka reforma e arsimit të larte, në mënyrë të veçantë për rolin e universiteteve publike në demokratizimin e shoqërisë sonë”, tha Bajrami.

Sipas tij, tri qëllimet kryesore të kësaj reforme janë: krijimi i një baze më të mirë në ndërtimin e standardeve të cilësisë së mësimdhënies, mësimnxënies, politikave publike dhe menaxhimit të mirë të Universitetit, definimi në mënyrë të plotë i autonomisë së universiteteve dhe krijimi i qeverisjes akademike në Universitet që do të reflektojë cilësi, shkathtësi në menaxhim të bazuar në kritere ekonomike.

Rektori i UP-së, Ramadan Zajnullahu tha se këtij universiteti i është dhënë hapësirë mjaft e madhe në draftimin e ligjit.

“Mendoj që universitetit tonë i është dhënë një hapësirë e madhe në draftimin e këtij ligji, ekspertët e Universitetit janë në pozicione në draftim të ligjit. Struktura e draft ligjit kryesisht ruhet ajo që ka qenë, por përbërja ndryshon. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të qartësojmë kompetencat në mes të tri shkallëve që parashihen në qeverisje të Universitetit: asaj të Këshillit Drejtues, të Senatit dhe të rektorit si ndërmjetës”, tha Zejnullahu.

Ndërkaq, Blerim Rexhaj, profesor i asociuar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe pjesëtar i Grupit punues rreth formulimit të draft ligjit, tha se gjatë ditëve punuese të Grupit është propozuar që tarifa e studimit të jetë pa pagesë, si në vendet skandinave, por kjo nuk ka kaluar sepse kur e kanë kthyer në modelin kosovar, ka qenë e domosdoshme një tarifë sado e vogël.

Më skeptik rreth këtij projektligji është shprehur dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, i cili ka thënë që “në mes të asaj që është shkruar në projektligj dhe asaj se çka është shprehur nga ministri Bajrami ka një diskrepancë të madhe” dhe se do të dëshironte që përfundimet të vijnë nga ato që është thënë nga ministri, a jo nga ajo se çka është shkruar. Ai po ashtu deklaroi se autonomia e universitetit, nënkupton autonominë akademike dhe financiare. “Me këtë draft nuk e shoh as autonominë akademike, e as atë financiare”, tha Dugolli.

Kurse Arben Mehmeti, kryetar i Parlamentit Studentor të UP-së, parashtroi disa kërkesa të cilat ai pret që të shqyrtohen nga grupi punues.

“Ne si përfaqësues të studentëve i kemi bërë disa kërkesa të cilat presim të shqyrtohen. Ne kërkojmë që në qendrën studentore të vendoset një qendër mjekësore, sepse është shumë e nevojshme, meqenëse ka ekzistuar më herët. Propozimi tjetër është karta e studentit, e cila është një dokument unik, me anë të të cilit studenti i gëzon disa shërbime me zbritje. Për këtë kërkesë nuk ka pasur kundërshtime, por nuk është përfshirë në draftligj, tha Mehmeti, i cili gjithashtu kërkoi pesë afate të provimeve, sepse, sipas studentëve, profesorët nuk mund të bëjnë vlerësime formative.

Në përfundim u bë thirrje që debatit publik, i cili do të vazhdojë deri më 18 qershor, t’i bashkohen bartësit e arsimit të lartë, studentë, profesorë, njerëz nga shoqëria civile dhe media./Kosovapress/