Rasti i zyrtarëve të ART-së, dëshmitari thotë se as mafia italiane s’do t’i bënte ato gjëra

Avdi Ferri, ka vazhduar dëshminë e tij para Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin ku për keqpërdorim të pozitës zyrtare, akuzohet kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), Ekrem Hoxha dhe anëtari i këtij bordi, Lulzim Kurtaj.

Lajme

25/09/2017 13:29

Dëshmitari Ferri, që në atë kohë ka qenë zyrtar i prokurimit, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Ali Beka, mbrojtësi i të akuzuarit Lulzim Kurtaj, deklaroi se ato që i kanë bërë të akuzuarit, as mafia italiane s’do t’i bënte.

“Këto sende që i kanë bërë, as mafia italiane nuk i kishte bërë”, ishte reagimi i Ferrit, në një nga pyetjet e avokatit Beka.

Duke u përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes, dëshmitari ka thënë se ai kishte shkuar në një dyqan, i cili merret me shitjen e pajisjeve elektronike dhe kishte blerë një pajisje që bënë incizimin e zërit. Këtë veprim, ai thotë se e kishte ndërmarr për të bërë incizimin e bisedave, pasi sipas tij, të akuzuarit i kishin ndërruar fjalët disa herë.

Ferri edhe në këtë seancë ka deklaruar se presioni ndaj tij, ka qenë i gjithanshëm sa kishte punuar në “ART”, si zyrtar i prokurimit.

Seanca e radhës u caktua më 23 tetor 2017, me fillim nga ora 13:00.

Ndryshe, Avdi Ferri, ka dhënë dëshminë e tij, edhe në seancën e kaluar që ishte mbajtur më 17 korrik të këtij viti, ku kishte deklaruar se vazhdimisht ka qenë nën presion nga dy zyrtarët e ART-së, tash të akuzuar.

Ndërsa, në seancën e 1 qershorit, mbrojtësit e të akuzuarve kishte kërkuar hudhjen e aktakuzës ndaj klientëve të tyre.

Sipas aktakuzës, Ekrem Hoxha në cilësinë e kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), dhe Kurtaj në cilësinë e anëtarit të të njëjtit bord, duke shkelur rregullat e konkurrimit kanë përzgjedhur operatorin ekonomik “R&T”, si fitues në tenderin “Qendra Nacionale e Monitorimit të Radiospektrit”.

Të pandehurit, sipas aktakuzës, kanë përzgjedhur fitues operatorin në fjalë, edhe pse i njëjti më parë është kthyer në rivlerësim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), duke iu shqiptuar edhe gjobë prej 30,000.00 euro për shkelje të procedurës së tenderimit. Për këtë, Hoxha dhe Kurtaj, po akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.