Rashiq: 60 për qind e votave të serbëve kanë qenë të manipuluara

Ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq ka thënë se përfaqësimi i deputetëve serbë në Parlamentin e Kosovës nuk është adekuat me votën e qytetarëve.

Lajme

20/10/2014 18:54

Sipas tij, 55 ose 60 për qind e votave kanë qenë të manipuluara në qendrat e votimit në Mitrovicën e veriut më datën 8 qershor të këtij viti.

“Përfaqësimi i deputetëve serbë në Parlament nuk është adekuat me qytetarët. Një numër i madh i votave i komunitetit serb është i manipuluar. 8 qershori për ne, për serbët e Kosovës ka qenë dëshmi”.

“Më shumë se 55 apo 60 për qind të votave kanë qenë të manipuluara. Do të thotë nuk kanë votuar qytetarët, dikush ka votuar në emër të tyre. Këto i kemi dresuar në adresat e sakta, në adresat që e kanë obligim të merren me këto”.

“Përgjegjësia është edhe mbi OSBE-në, e cila ka pasur dorë në organizim. Kam qenë në të gjitha instancat e mundshme në Kosovë, duke e theksuar këtë problematikë, dhe s’kam marrë asnjëherë përgjigje adekuate”.

Sa i përket inicimit të minoritarëve për kërkesën drejtuar Presidencës për sqarimin e pikës 127, Rashiq në emisionin “InfoMagazine” ka thënë se esencialisht e përkrah këtë ide, mirëpo është kundër kësaj forme.

“Esencialisht e përkrah këtë ide. Forma është jo e duhur. Por, në vendin demokratik nuk ka përjashtime. Përjashtimi i zgjedhjeve nuk ka nevojë të theksohet dhe ne jemi kundër kësaj”, tha Rashiq, i cili është edhe lider i Partisë Progresiste Serbe të Kosovës.