Ramiz Lladrovci: Ditë e madhe në Drenas për ata që besuan në Forcën e Ndryshimit

Kryetari i Drenasit në mandatin e ardhshëm, Ramiz Lladrovci, nga radhët e PDK-së, i cili fitoi mandatin në përpjekjen e parë, ka falënderuar të gjithë kontribuesit e fitores së madhe.

Lajme

23/10/2017 00:00

Ja postimi i plotë i Z. Lladrovci në rrjetin social:

“Sot ishte ditë e madhe për mua, për Familjen time dhe për të gjithë qytetarët që i besuan Forcës së Ndryshimit.

Faleminderit qytetarëve të Drenasit, aktivistëve dhe simpatizantëve të PDK-së, strukturat organizative, seksioneve, nëndegëve të PDK-së, Rinisë dhe Gruas Demokratike për angazhimin e pakursyer gjatë gjithë fushatës.

Një falënderim të veçant shpreh për bartësin e Listës së PDK-së, Labinot Halilajt, i cili me durim përballoi sfidën e garës, si dhe dy nënkryetarët e Shtabit, Milaim Hajdarin dhe Arsim Haxhiun. Po ashtu, respekt për të gjithë kandidatët për Asamble që me përkushtim u përpoqen për çdo votë.

Kjo ditë feste për neve, në Sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci”, nuk ishte e lehtë sepse me neve nuk ishte as Baba Tush.

Përpara nesh është një mandat i sprovës dhe dëshmisë, sepse, ne e mbajmë fjalë. Ne jemi Forca e Ndryshimit në Drenas!

Sinqerisht falënderoj Kryetarin Veseli dhe të gjithë bartësit e përgjegjësive shtetërore në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Shqipëri, për urimet e sontme.

Falënderoj po ashtu, Nënën Zizë, e cila me 98 vitet e saja, jo vetëm që doli të votonte, por edhe më dhuroi një palë çorapë leshi që vet i kishte thurë. Këtu falënderoj edhe Bacën Ymer, 93 vjeçar dhe Nënën Adile, 90 vjeçare nga Fushtica e poshtme që më nderuan me besimin e tyre për mandatin e ardhshëm.

Faleminderit!”