Rama: Zgjedhja më 25 qershor, e qartë

Në një takim me banorët e njësive 3 dhe 4 në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deklaruar se zgjedhja më 25 qershor është shumë e qartë për qytetarët.

Lajme

27/05/2017 19:17

 

“Me votën e 25 qershorit do të vendosni  që Shqipëria të vazhdojë për më shumë punë, për më shumë siguri, për më shumë mirëqenie për secilin, apo do vendosni që t’i jepni Lulit, një punë që Luli nuk di ta bëjë? Do vendosni që ne të vazhdojmë me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën forcë, me të njëjtën kokëfortësi që luftuan dhe fituam për Vettingun të luftojmë dhe fitojmë për ta rritur ekonominë si asnjëherë më parë, sepse do e shpëtojmë nga kthetrat e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar, apo do vendosni për t’iu dhënë një punë atyre që s’dinë ta bëjnë? Të gjithë atyre që sot janë bashkuar në çadrën e humbësve. Nëse çadra në bulevard ishte çadra e frikës nga drejtësia, çadra e skuadrës që ka prezantuar PD është çadra e humbësve. Republika e re me gjithë këta humbës!”, ka deklaruar Rama.

Më pas, kryeministri Rama ka vizituar një biznes fason, i cili ka përfituar nga lehtësirat fiskale dhe rimbursimi i TVSH-së për makineritë në prodhim, duke rritur prodhimin.

Bashkë me kryebashkiakun Veliaj, Rama ka inspektuar edhe punën për ndërtimin e bulevardit të ri./TCH